HomeFokusPse fëmijëve nuk ju pëlqen shkolla
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Pse fëmijëve nuk ju pëlqen shkolla

Që i vogël, por edhe më vonë kur isha më i rritur, e urreja të vajturin në shkollë. Nuk më kujtohet ndonjëherë që të kem dashur të qëndroj me dëshirë në klasë, qëkur kam nisur kopshtin,dhe deri kur e braktisa universitetin pasi përfundova vitin e parë. Braktisja e universitetit për mua ishte njësoj si të merrja faljen e dënimit nga guvernatori.

Sigurisht që kjo nuk më bën të veçantë, pasi në shkollë ka kaq shumë fëmijë të pakënaqur. Shkolla është padyshim një gjë e mirë për shumicën e fëmijëve. Por nëse vajza juaj nuk ka një pasion të çuditshëm në shkencat sociale, është e kotë t’i thoni asaj se “arsimi e stimulon mirëqenien subjektive në një periudhë afatgjatë”.

Ajo që e shkatërron atë përvojë për kaq shumë fëmijë, siç ka ndodhur me mua, është fakti që shkolla është sot një vend ku ndihesh i vetmuar dhe i mërzitur. Duke shqyrtuar studimet mbi të mësuarit dhe lumturinë, ne zbulojmë se ndjenjat e fëmijëve ndaj shkollës, nuk kanë të bëjnë aq shumë me moshën, përkatësinë etnike apo prejardhjen socio-ekonomike, por me dy faktorë bazë:miqësinë dhe interesin.

Fatmirësisht, duke ditur pak nga të dyja, ne mund të përmirësojmë jetën e të gjithë nxënësve që kohët e fundit janë rikthyer në shkollë të tronditur ose duke u dridhur nga mendimi se duhet ta bëjnë këtë edhe në ditët në vijim. Kur është fjala për mirëqenien afatgjatë, ekzistojnë pak shpikje qe e rrisin lumturinë më shumë sesa arsimi.

Duke përdorur të dhëna nga të rriturit nga 85 vende, studiuesi austriak Erik Striesnig zbuloi në vitin 2015, se njerëzit që kishin përfunduar arsimin e mesëm kishin 10 për qind më shumë gjasa të raportonin se ishin të lumtur, sesa ata që nuk e kishin përfunduar arsimin e mesëm, edhe duke qenë me të ardhura të përafërta.

Ndërkohë ata që përfundonin shkollën e lartë, kishin 30 për qind gjasa që të ishin më të lumtur. Një shpjegim i mundshëm për këto përfundime, është se mësimi stimulon një emocion të fuqishëm pozitiv:interesin. Kerol Izard, studiuese në fushën e emocioneve, e përkufizon interesin si “motivimin kryesor që qëndron pas përfshirjes në veprimtari krijuese dhe konstruktive dhe ndjenjës së mirëqenies”.

Thënë thjesht, ekspozimi i njerëzve ndaj ideve dhe mjeteve që u ofrojnë njohuri, u jep atyre edhe mekanizmat për të prodhuar lumturi gjatë gjithë jetës. Prandaj, nuk është për t’u habitur që leximi, të cilin të rriturit përpiqen që t’ua kultivojnë si pasion fëmijëve të tyre, është zbuluar se rrit kënaqësinë e jetës.

Gjithsesi, sjelljet e fëmijëve kur janë në shkollë, nuk reflektojnë përfitimet e mëdha që do të kenë më vonë në aspektin e lumturisë. Sipas një studimi të kryer vitin e kaluar me mbi 21.000 nxënës të shkollave të mesme në Shtetet e Bashkuara, dy ndjenjat më të zakonshme të përjetuara në shkollë janë stresi (79.8 për qind) dhe mërzia (69.5 për qind).

Disa shprehën emocione pozitive si krenaria dhe gëzimi. Por në përgjithësi gati 75 për qind e ndjenjave të deklaruara spontanisht për shkollën ishin negative. Do të ishte e lehtë që ky studim të shpërfillej, duke e interpretuar atë si një version të dilemës së “Gjinkallës dhe Milingonës”, sipas së cilës një përpjekje që është e mërzitshme për momentin, çon në rezultate shumë pozitive në të ardhmen.

Por unë mendoj se ai është shumë realist. Për shumë fëmijë, shkolla nuk është vetëm e lodhshme, por edhe shumë e vetmuar. Studimet tregojnë se 80 për qind e fëmijëve ndihen ndonjëherë të vetmuar në shkollë.

Ky emocion lidhet me mërzinë, pasivitetin, tendencën për t’u strehuar tek fantazitë dhe qëndrimin pasiv ndaj ndërveprimeve shoqërore. Të thuash që vetmia mund të të shtypë çdo interes ndaj shkollës, nuk është një ekzagjerim. Anasjelltas, miqësia në shkollë është treguesi kryesor i kënaqësisë dhe sjelljes pozitive.

Instituti Gallup zbuloi se të pasurit e një shoku apo shoqeje në shkollë është treguesi më i mirë i bashkëveprimit në klasë, si për nxënësit e klasës së pestë ashtu edhe ata të klasës së tretë. Në mënyrë të ngjashme, hulumtimet nga Universiteti Hebraik i Jeruzalemit, Universiteti i Warwick dhe Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike tregojnë se studentët që kanë një miqësi të ndërsjellë, në të cilën të dy personat e përfshirë e perceptojnë marrëdhënien në mënyrë të barabartë, kanë më shumë gjasa ta duan shkollën dhe të jenë më të suksesshëm në klasë.

Në fakt gjithmonë ka ekzistuar një ndjesi e cila e nxit vetminë në shkollë. Sipas Qendrës Kombëtare për Statistikat e Arsimit, 20.2 për qind e studentëve amerikanë midis moshës 12 dhe 18 vjeç kanë pranuar se kanë qenë viktima të bullizmit.

Shumë studime kërkimore kanë nxjerrë në pah një lidhje të fortë mes bullizmit të zakonshëm dhe atij kibernetik, me ankthin dhe depresionin shoqëror. Bullizmi gjithashtu mund të sjellë probleme në mbarëvajtjenqë fëmijët mund të kenë në shkollë, dhe dëshirën e tyre  për të pasur rezultate më të mira, si dhe mos pjesëmarrjen në mësim.

Një sondazh i vitit 2020 i kryer nga “Common sense media” zbuloi se 42 për qind e adoleshentëve ndiheshin“më të vetmuar se zakonisht”. I njëjti studim tregoi se gati një në katër adoleshentë (24 për qind) pranonin se i kontaktonin mësuesit më pak se një herë në javë. Nëse ne duam që t’i ndihmojmë fëmijët të marrin lumturi nga edukimi në planin afat shkurtër dhe atë afat gjatë, duhet të investojmë nëmë shumë burime që e lehtësojnë krijimin e miqësive, të cilat e largojnë vetminë dhe mërzinë. Ka shumë kërkime dhe burime praktike që mund ta bëjnë më të thjeshtë pasjen e më shumë miqve për studentët.

Studimet tregojnë se programet për të parandaluar bullizmin në shkollë mund ta zvogëlojnë problemin me rreth 20 për qind. Të rriturit nuk duhet të qëndrojnë pasivë, duke shpresuar se problemi do të zgjidhet vetvetiu. Në bazë të të gjitha ndërhyrjeve efikase qëndron të qenit të ndërgjegjshëm se problemi ekziston, dhe se duhet ndërhyrë menjëherë për ta zgjidhur atë.

Gjithashtu edhe studentët kanë nevojë për të pasur më shumë mundësi për të krijuar miqësi. Studimet tregojnë se, kur bëhet fjalë për vetminë dhe mirëqenien, ndërveprimet shoqërore të largëta janë dramatikisht të papërshtatshme për të zëvendësuar ato në prani. Nëse të rriturit nuk gjejnë një mënyrë për t’i mbajtur shkollat ​​hapur ndërkohë që vazhdojmë të luftojmë me pandeminë, vuajtjet e fëmijëve do të përkeqësohen (siç tregon edhe kolegu im Joshua D. Coval në hulumtimin e tij, ku në shumicën e rasteve rihapja e shkollave pengohet më shumë për arsye politike se sa për arsye shëndetësore).

Të bërit miq mund të jetë sfidë në çdo moshë. Studime e fundit që përdorin metoda të reja të bazuara në inteligjencën artificiale ofrojnë këshilla të dobishme për fëmijët (dhe të rriturit) që duan të kenë më shumë informacione.

Të dhënat tregojnë se vlerësimi shoqëror (vënia në dukje dhe të vënit e theksit tek ajo që njerëzit pozitivë bëjnë), si dhe imitimi (për shembull të qeshurit bashkë me të tjerët) janë mënyra të shkëlqyera për të nisur një miqësi. Duke pasur më shumë miq, studentët do të ndjehen më të gëzuar dhe të interesuar, dhe pakënaqësitë e tyre do t’i kthejnë në një bezdi të vogël. Kështu të gjithë do të jenë më të përgatitur për të mirëpritur përfitimet afatgjata që arsimimi sjell për sa i përket lumturisë.

 

Të fundit