Njerëzit sot e kanë më vështirë se kurrë t’i dallojnë psikopatët nga njerëzit e zakonshëm, ngase edhe shumë njerëz që hiqen si të shëndoshë mendërisht në fakt po humbin vlerat shpirtërore e etike. Psikopatët nuk mund t’i dallojnë aq shpejt as ekspertët e shëndetit mendor.
Një definicion i shkurtër i psikopatisë.
Psikopatia konsiderohet një formë ekstreme e çrregullimit disocial të personalitetit. Çrregullimi megjithatë nuk mund të përcaktohet lehtë si dhe të dallohet lehtë nga çrregullimi disocial i personalitetit. Si tek psikopatia ashtu edhe tek çrregullim disocial i personalitetit njerëzit tregojnë sjellje disociale. Por psikopatët janë më të dëmtuar emocionalisht. Në diagnozë diferenciale me psikopatinë hyn edhe çrregullimi narcistik i personalitetit.
Simptomet:
- Psikopatët janë të ftohtë emocionalisht dhe kanë mungesë empatie (bashkëndjenje, dhembshurie). Pra shfaqin ndjenja shumë sipërfaqësore.
- Psikopatët gënjejnë, mashtrojnë dhe shfrytëzojnë me shkathtësi njerëzit rreth vetes. Ata kanë aftësi karizmatike dhe kështu arrijnë të joshin sidomos personat e padjallëzuar. Janë mjeshtër të mëdhenj në këto veprime.
- Ata i karakterizon mungesa e ndjenjës së fajit dhe pendimit.
- Ata vetëvlerësojnë veten në mënyrë të ekzagjeruar, kanë uri të papërshkruar për t’u dukur të fortë dhe për të ushtruar fuqi mbi të tjerët. Ata ndjenjë kënaqësi kur vuan viktima e tyre.
- Parapëlqejnë të jetojnë në kurriz të tjerëve (por ka shumë që janë shumë ambiciozë dhe që nuk zgjedhin mjete për të arritur në pozita të larta). Kjo ua forcon edhe më tutje egocentrizmin e tyre dhe falë pozitës së tyre si dhe mirëqënies materiale arrijnë të ushtrojnë fuqinë e tyre dhe të mbajnë të tjerët nën kontrollë.
- Këta nuk mund t’i kontrollojnë sjelljet e tyre nëse atyre nuk iu shkon diçka për shtati. Mungesa e kontrollit të impulseve vërehet qysh në moshën e hershme sidomos në moshën e adoleshencës.
- Psikopatët ndërrojnë shpesh partnerët seksualë.
Ata arrijnë ti tërheqin shpejt partnerët me sjelljet e tyre manipulante, me komplimente, dhurata e premtime. Sapo partneri bie pre e mashtrimeve të tyre marrëdhënia ndryshon rrënjësisht. Psikopatët nuk kujdesen më për partnerët e disa bëhen agresivë dhe të dhunshëm. - Ata janë jashtëzakonisht të gatshëm të ndërmarrin rreziqe dhe të sillen në mënyrë të papërgjegjshme dhe të paskrupullt për t’i arritur qëllimet e veta, madje të bëhen kriminelë dhe vrasës. Kjo është forma më e rëndë e psikopatisë.
Pra psikopatin e karakterizojnë një grup simptomash me intensitet të ndryshëm tek personat e ndryshëm, megjithatë elementi thelbësor dallues është ftohtësia emcionale, mungesa e bashkëndjenjës dhe aftësia e madhe manipulative.
Andaj të jeni të kujdesshëm dhe skeptikë kur takoni njerëz të tillë!