Momentet e vështira janë pjesë e jetës dhe ndikojnë në disponimin jo të mirë e në disa raste në disponim depresiv. Çka ndodhë kur këto momente zgjasin më shumë, kur as vet nuk jemi të sigurt se çka në të vërtet do të ndodhë dhe deri kur kjo gjendje do të zgjatë
Mendimi në vetizolim, frikë, ankth e depresion, shumicën e frikëson më tepër nga mosdija apo nga tabuja që dominon kur përmenden këto tema. Pandemia e coronavirusit në masë të madhe po ndikon në shëndetin mendor të njerëzve, për këtë në disa situata veprojmë pa menduar mirë dhe padrejtësisht. Këto sjellje nuk ndihmojnë në situatën e tanishme, por më e rëndësishme është që qytetarët të informohen drejtë për coronavirusin dhe me maturi të reagojnë. Por mbi të gjitha dominon STRESI që është shumë i lartë! Kombinimi i pandemisë me stresin e paraqitur ka ndikuar ne paqartësitë dhe te ambivalenca, që këtë kemi mund ta vërejmë në pyetjen: të qëndrojmë në shtëpi apo të dalim jashtë?
Kjo situatë mund të rritë dezorientimin dhe konfuzitetin deri te ndjenja e humbjes së kontrollit. Nuk janë të prekur vetëm njerëzit që kanë përjetuar tmerre, por edhe ata që po ndihmojnë, të cilët i mjekojnë apo marrin pjesë në shpëtimin e tyre. Karantina është gjithashtu përvojë jo e mirë posaçërisht nëse zgjatë shumë. Ndarja apo distancimi për një periudhe kohore të pacaktuar nga të dashurit, mungesa e lirisë, humbja e kontrollit, pasiguria në lidhje me sëmundjen dhe mërzitja, janë arsyet më të shpeshta që pamundësojnë menaxhimin e situatës në karantinë. Izolimi do të ndikoj që frika të jetë më e shprehur, përderisa izolimi është mekanizëm jo i favorshëm i funksionimit të shoqërisë, familjes, individit. Do të rritet frika posaçërisht te personat emocionalisht labil, personat e paqëndrueshëm, përderisa kjo dërgon në nevojën e kërkimit të ndihmës nga psikiatri. Fillimisht duhet t’iu shpjegohet se është normale që disa persona të fitojnë sulme paniku, nëse mbyllen kufijtë.
Po ashtu njerëzit duhet të dinë kujt t’i drejtohen, me kënd të bisedojnë, tani është mirë të krijohen besueshmëri me fqinjët dhe të afërmit me të cilët duhet biseduar dhe kërkuar ndihmë. Në këtë situatë është e rëndësishme kërkimi i ndihmës nëse keni frikë të madhe, apo t’i ndihmojmë të tjerët që kanë nevojë dhe kjo na bën më të fortë emocionalisht . Kam përshtypjen se si profesionalist të shëndetit mendor, është koha të veprojmë. Mungesa e kontrollit dhe pasiguria është problemi kryesor dhe për këtë arsye njerëzit në mënyrë obsesive ndjekin lajmet, informohen nga rrjetet sociale, grumbullojnë informacione të sakta dhe të pasakta duke menduar që do të sigurojnë ‘qetësinë’ e me këtë veç përkeqësohet gjendja e tyre. Kjo është KRIZË që më parë nuk e kemi përjetuar dhe se duhet qasur ne mënyrë serioze, intervenim në krizë duke punuar me njerëzit për t’ua lehtësuar këtë situatë. Disa nga ata pas kësaj gjendje mund të prezantojnë çrregullime, për këtë arsye me kohë duhet reaguar.
Disa nga këshillat që do ju ndihmojnë në tejkalimin e situatës së krijuar:
- Kufizimi i lajmeve, kujdes çka lexoni!
Informacionet e shumta krijojnë anksiozitet dhe panik, nëse vazhdimisht ndiqni lajmet dhe shkrime të shumta në internet (ku në të shumtën e herëve janë të pabazuara dhe të ekzagjeruara). Të gjitha informatat merrni me rezervë. Informacionet me rëndësi janë ato çka i referojnë mjekët kompetent, MSH dhe OBSH-ja.
- Rrjetet sociale!
Sa janë të mira, poashtu munden me reflektuar negativisht, sidomos në kohë të krizave, dinë të jenë ‘’jo të mira”. Në njërën anë ka numër të madh të informacioneve jo të verifikuara dhe jo të bazuara që vijnë nga të gjitha anët, për këtë duhet marrë me rezervë informatat e tilla. Po në anën tjetër, janë të shkëlqyeshme për mbajtje të kontakteve me familjen, shoqërinë sidomos kur jemi ne izolim, përmes e-mail, Skype, Viber, Facebook etj, dhe kjo ndihmon!
- Flisni lirshëm për FRIKËN!
Pyetje e shpeshtë e qytetarëve në këtë kohë është “A do të çmendem i vetëm në shtëpi, i mbyllur në katër mure“ dhe nëse nuk kanë mundësi të flasin me dikë, atëherë situata rëndohet. Prandaj flisni sa më shume për frikën që e keni, sepse do ju ndihmoj komunikimi me te afërmit tuaj.
- Vini ne funksion trurin!
Gjithçka çka ju tërheqë vëmendjen është e mirë: librat, filmat, hobit në të cilat gjeni kënaqësi, por jo me tepruar dhe të largoheni nga REALITETI. I kthehemi gjërave që i duam dhe që argëtohemi. Përderisa një mike ime më shkruan se si ajo po e tejkalon këtë gjendje: ‘’në fillim të kësaj gjendje jam ndier shumë keq, por me kohen u adaptova, po punoj nga shtëpia, kam filluar të mësoj gjuhë të huaja përmes internetit, po lexoj ato libra që nuk kam mundur t’i lexoj deri tani dhe po planifikoj se çka do të punoj kur krejt kjo gjendje kalon”
Poashtu do t’iu ndihmojnë edhe këto këshilla:
– Frymëmarrja e thellë;
– Punoni në forcimin e imunitetit;
– Përkujdesuni për higjienën personale;
– Meditoni (vetizolimi është kohë ideale për të);
– Mësohuni t’i çmoni gjërat e vogla;
ÇKA TUTJE?
Askush nuk e di, por pa frikë … ditë për ditë! Probleme do të ketë gjithsesi, por të cilat kanë zgjidhje, për shembull karantina – këtu gjithçka mund të ndodhë madje do të ketë grindje edhe tek personat, që ‘’shumë duhen” të mbyllur brenda katër mureve për disa javë. Duhet të flasim haptas, çka po ndodhë dhe nëpër të cilën po kalojmë. Mos harroni se kriza e krijuar njëkohësisht është mundësi për t’u forcuar, zhvilluar dhe ndryshuar dhe se e gjithë errësira që e ka kapluar tërë botën, gjithmonë mund të ndriçohet nga fuqia e vetëdijes tonë dhe drita jonë e brendshme.
Kjo gjendje do të kalojë… Durim!
Dr. S.B.