HomePersonalitetiSi të flasim Sinqerisht
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Si të flasim Sinqerisht

Gjatë një dite të zakonshme, ne komunikojmë me një numër njerëzish të ndryshëm; ne komunikojmë me të dashurit tanë, kolegët tanë etj. Por, për fat të keq, shumë biseda mbarojnë keq – konflikte irracionale shpesh lindin dhe ne përfundojmë duke i mbyllur bisedat duke u ndierë të anashkaluara ose në dëshpërim. Nuk ka pse të jetë kështu, dhe nuk është e thënë se duhet të vazhdojë ashtu – shmangia e këtyre situatave është pikërisht ajo që mund të të ndihmojnë këto rreshta. Zbulo konceptin e Komunikimit Paqësor dhe mëso se si mund ta zbatosh atë në jetën tënde të përditshme për të ruajtur, dhe ndoshta edhe për të përmirësuar marrëdhëniet tuaja.

Në këto rreshta, ti do të mësosh:

  • përgjigjen më të mirë që mund t’i jepni dikujt kur ju thotë “ti je personi më egoist që kam takuar ndonjëherë”;
  • pse duhet t’i mbani vrojtimet tuaja të ndara nga vlerësimet tuaja; dhe
  • pse nuk duhet ta fajësoni menjëherë partnerin tuaj se ka lënë çorape të pista në shtëpi.

 

Vazhdimi në komunikimin hidh e prit nuk e lejon dhembshurinë.

Në çdo shoqëri, komunikimi është bazamenti themelor i jetës së përditshme; nëse duam të funksionojmë mirë në shoqëri, duhet të mësojmë se si të komunikojmë me të tjerët në mënyrë efektive. Fatkeqësisht, ne kemi prirje të përdorim gjuhën që e shkurton rrjedhën e komunikimit dhe, akoma më keq, na dëmton si ne ashtu dhe personin me të cilin po flasim. Ky komunikim që vështirëson jetën ndodh kur fjalët tona ngrejnë mure në vend që të krijojnë ura. Për shembull, ta quash një shoqe egoiste sepse mori atë copën e fundit të tortës është një deklaratë gjykuese që nxit vetmbrojtje. Më mirë do të ishte, një hetim i thjeshtë që fshihet prapa motivit të veprimit të tyre që mund të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje. Për më tepër, kjo gjuhë na distancon nga ajo pjesa jonë e dhimbsur, gjë që na bën më të dhunshëm si individë dhe shoqëri. Lidhja midis gjuhës dhe dhunës është hetuar nga O.J. Harvey, një profesor i psikologjisë në Universitetin e Kolorados. Ai studioi fragmente të rastësishme të letërsisë botërore nga vende të ndryshme dhe kërkoi fjalë që i paragjykonin njerëzit, si “të mirë” dhe “të këqij”.

Studimi zbuloi se vendet me më shumë fjalë paragjykuese në letërsinë e tyre gjithashtu kishin një numër më të madh të incidenteve të dhunshme. Harvey përfundoi se kulturat që i etiketojnë njerëzit si “të mirë” ose “të këqij” forcojnë idenë se individët “e këqij” meritojnë ndëshkim, gjë që kontribuon në incidente të dhunshme.

Por komunikimi që na vështirëson jetën shtrihet përtej të “mirës” apo së “keqes”. Në fakt, kjo formë e komunikimit përmban një sërë instrumentash gjuhësore që ndihmojnë në krijimin e hëndeqeve midis njerëzve. Një instrument i tillë është gjykimi moralist. Gjykimet morale – zakonisht fyerjet, kritikat dhe epitetet – nënkuptojnë që një person që vepron ndryshe me sistemin tuaj të vlerave, po sillet “gabimisht”. Imagjinoni një vajzë që dëshiron të shpërngulet nga shtëpia e prindërve të saj; ata mendojnë se ajo nuk është e gatshme dhe do ta rrezikojë veten. Por në vend që të shpreheshin me dhembshuri duke e vënë veten në pozitën e saj dhe të përpiqeshin të kuptonin këndvështrimin e saj, ata e etiketojnë atë si “egoiste”. Në vend që ta quanin atë “egoiste”, ata mund të merrnin pak kohë për të identifikuar nevojat e tyre, si dhe ato të vajzës së tyre, dhe të kishin një diskutim mirëkuptues për këtë. Mund të rezultojë se ajo që prindërit shqetësohen në të vërtetë s’ka lidhje fare me egoizmin por me faktin se sa shumë atyre do t’u mungojë vajza e tyre. Duke përdorur një gjuhë të dhembshur, ata mund të tejkalojnë dallimet e tyre në vend që ta largojnë njëri-tjetrin. Ky është vetëm fillimi, kështu që – rreshtat vijues do t’ju tregojnë saktësisht se si të filloni të komunikoni me dhembshuri, paqësisht, në një mënyrë që i afron njerëzit.

 

Komunikimi paqësor është një mënyrë për të komunikuar me dhembshuri.

Shprehja e emocioneve nuk është kurrë e drejtpërdrejtë, veçanërisht kur ato janë negative. Për fat të mirë, ekziston një metodë e fuqishme për të na ndihmuar. Quhet komunikim jo i dhunshëm (KJD), një mënyrë e komunikimit që na lejon të lidhemi me të tjerët dhe veten tonë nëpërmjet zemrës. Termi jo-dhunë është frymëzuar nga Mahatma Gandhi, udhëheqësi i lëvizjes indipendenciale indiane dhe i referohet gjendjes natyrale të zemrave tona: pa dhunë dhe plot dhembshuri. Komunikimi KJD referohet konceptimit të gjuhës si ajo që përcakton marrëdhëniet që kemi me veten tonë dhe të tjerët. Të dyja të kombinuara krijojnë një qasje komunikuese që na bën më të vetëdijshëm për fjalët që përdorim dhe se si i dëgjojmë të tjerët. Një nga pikat e forta të qasjes KJD është se ajo na ndihmon të komunikojmë qartë ndjenjat tona. Kjo gjë e bën duke na inkurajuar të vëzhgojmë në mënyrë objektive, të identifikojmë nevojat tona dhe të komunikojmë me dashuri.

Imagjinoni që keni një djalë të çrregullt me ​​emrin Ajan. Kur shihni se ai ka lënë lodrat e tij të shpërndara nëpër dyshemenë e dhomës së ndenjes për herë të tretë sot, mos i bëni menjëherë thirrje për t’i pastruar; në vend të kësaj, filloni thjesht duke vëzhguar situatën.

Më pas, përpiquni të kuptoni se si po ndiheni ndërsa vëzhgoni situatën: je e frikësuar për sigurinë e Ajanit? Apo je e inatosur sepse duhet të përsërisësh vazhdimisht të njëjtat fjalë?

Pas një momenti vetë-pyetjesh, mund të kuptoni se jeni e irrituar dhe e frustruar.

Tani duhet të identifikoni nevojat që burojnë nga këto ndjenja.

Për shembull, nevoja juaj mund të jetë të keni një shtëpi të rregullt e të pastër. Por, përpara se të thoni ndonjë gjë, mendoni se si mund të ndikoni tek personi tjetër për ta bërë jetën tuaj më të mirë, por pa i dëmtuar ata. Kur të jesh gati, formulo një kërkesë të sinqertë, të qartë dhe të dhembshur:

“Ajan, kur shoh lodrat tuaja në dhomën e ndenjes, ndjehem e irrituar sepse kam nevojë që dhomat e përbashkëta të jenë më të rregullta. A nuk përton t’i zhvendosësh lodrat tuaja në dhomën tënde pasi të përfundosh lojën?” Tani, le të shohim më nga afër pjesën vrojtuese të qasjes KJD.

 

Vëzhgimi dhe vlerësimi duhet të veçohen nga njëri-tjetri.

Ne kemi krijuar lidhjen midis komunikimit të mirë dhe vrojtimit, kështu që tani le të shohim se si të përmirësojmë aftësitë tona vrojtuese. Para së gjithash, përqendroni energjinë tuaj për të qenë të vetëdijshme për momentin e tanishëm. Dëgjoni me kujdes atë që po thotë personi tjetër dhe pyesni veten, si po ndikon kjo në mirëqenien time? Angazhoni shqisat tuaja – prekjen, shikimin dhe tingullin – për t’u lidhur sa më shumë që të jetë e mundur me situatën. Hapi tjetër është të shmangni përgjithësimin e argumenteve tuaja, të cilat mund të bëhen duke iu referuar vëzhgimeve situatave specifike. Në vend që të thoni “ju gjithmonë …”, referojuni një momenti të veçantë kur diçka ju shqetëson. Për shembull, ju mund të thoni se partneri juaj edhe një herë harroi të merrte ushqimin e qenve nga dyqani i kafshëve shtëpiake. Sidoqoftë, është gjithashtu e rëndësishme të bëhet dallimi midis vëzhgimit dhe konkluzionit/vlerësimit. Filozofi indian, J. Krishnamurti shkruajti se vëzhgimi pa u hedhur direkt në konkluzione është forma më e lartë e inteligjencës. Për shumë njerëz, dallimi midis vëzhgimit dhe konkluzionit ose gjykimit mund të jetë i vështirë.

Shprehja “Shefi im është gjithmonë vonë”, është një konkluzion, ndërsa “Shefi im nuk arrin para orës 8:30 të mëngjesit.” eshte me e saktë. Në mënyrë të ngjashme, “Ju rrallë merrni këshillat e mia”, është një konkluzion; një konstatim më i saktë do të ishte: “Tri herët e mëparshme kam ofruar këshilla, ti refuzove t’i pranosh ato.” Të dyja vëzhgimet më lart janë specifike, gjë që, nga ana tjetër, zvogëlon mundësinë e një keqkuptimi. Për më tepër, ata janë pa kritika, gjë që parandalon marrësin e mesazhit tuaj të kalojë në vetëmbrojtje, dhe akoma më e rëndësishme, shtegu për t’i përmirësuar gjërat mbetet i hapur. Një mënyrë tjetër për të përmirësuar vëzhgimin është të jesh i vetëdijshëm për etiketimet apo epitetet. Nëse shpërqendroheni nga etiketat, do të luftoni të lidheni me një situatë ose person specifik. Për shembull, të kesh paracaktuar se dikush është “liberal” ose “konservator” mund të pengojë gjykimin tënd kur diskuton për një çështje të caktuar; tashmë keni supozuar se çfarë po mendon ky person.

 

Mësoni të shprehni se si ndiheni.

Tani kemi vërtetuar se vëzhgimi i qartë është hapi i parë i KJD. Por tani duhet të mësojmë se si t’i shprehim plotësisht ndjenjat tona në mënyrë që të komunikojmë sa më efektivisht të jetë e mundur. Për ta arritur këtë, ne mund të fillojmë duke artikuluar saktësisht ndjenjat. Kjo mund të jetë problematike sepse rrallë kërkohet që të analizojmë emocionet tona të vërteta. Mënyra më e mirë për t’u shprehur është duke qenë specifik, veçanërisht sepse vetë gjuha shqipe ndonjëherë mund të jetë e paqartë. Për shembull, ne shpesh përdorim foljen ndjej pa komunikuar me të vërtetë ndjenjat tona. Përdorimi i një shprehje të zakonshme si “ndihem pak poshtë” është e paqartë dhe nuk arrin të përcjellë gjendjen tuaj të saktë emocionale. Sidoqoftë, marrja e kohës për të gjetur gjuhën e saktë do t’ju ndihmojë të përshkruani më qartë situatën tuaj. Prandaj, në vend që të thoni “ndihem pak poshtë”, përdorni mbiemra më preçiz dhe sqaroni arsyet pse. Ndiheni e merakosuar, e keqardhur apo e tradhëtuar? Mënyra më e mirë për të filluar zbatimin e kësaj është duke zgjeruar fjalorin tuaj. Një bagazh i gjerë fjalësh do t’ju ofrojë një gamë më të madhe emocionesh nga të cilat mund të shprehni ndjenjat tuaja. Ky problem i paqartësisë vlen edhe për përemrat. Bërja e deklaratës “ndjehem sikur të gjithë po më injorojnë” është e paqartë dhe nuk adreson specifikat. Për të shmangur një konfuzion të tillë, tregoni përvojat tuaja me njerëzit e vërtetë dhe vendet: “Dje në mëngjes, unë i kërkova motrës time për këshilla dhe ajo nuk u përgjigj. E njëjta gjë ndodhi me shefin tim gjatë drekës sot, gjë që më bëri të ndihesha e pa vlerësuar.” Përpiquni të jepni një rrëfim të ngjarjeve dhe të tregoni mënyrën si u ndjetë kur ato ndodhën. Më në fund do të duhet të mësoni se si të shprehni brishtësinë tuaj. Neglizhimi i ndjenjave tuaja të vërteta mund të krijojë tension të padëshiruar midis kolegëve, miqve dhe familjes; kode të caktuara profesionale e dekurajojnë madje shprehjen e cenueshmërisë si një shenjë dobësie, përfshirë ai i avokatëve, inxhinierëve dhe apo ushtarakëve. Në vend që të mbusheni me ndjenja të pashprehuara, përdorni KJD për të krijuar ura komunikimi: vëzhgoni, identifikoni ndjenjat dhe nevojat tuaja dhe bëni kërkesa të qarta.

 

Merrni përgjegjësi për ndjenjat tuaja.

Në këtë pikë, ju duhet të njiheni më shumë me KJD dhe duhet të jeni në gjendje t’i kushtoni vëmendje më të madhe ndjenjave tuaja si rezultat. Por ka më shumë për të zhvilluar përgjigjet tuaja emocionale – ju duhet të merrni përgjegjësinë për ndjenjat tuaja. Ju mund ta bëni këtë kur bashkëveproni me të tjerët duke njohur më parë nevojat tuaja. Ndërsa veprimi i një personi tjetër mund të jetë nxitja e ndjenjave tona, ato nuk janë shkaku. Përkundrazi, reagimet tona përcaktojnë se si ndjehemi për ato që na thonë njerëzit. Për shembull, ne do të reagojmë në mënyrë intuitive në mënyrë negative nëse dikush na thotë, “Ju jeni personi më egoist që kam takuar ndonjëherë!”

Por, le të shohim katër mënyra të ndryshme të mundshme për të reaguar ndaj kësaj deklarate:

Së pari, ju mund të keni një reagim negativ ndaj fjalëve të tyre dhe të mendoni, “Është faji im!” Duke fajësuar veten, nuk arrini të analizoni rrënjën e mesazhit dhe t’i drejtoheni ankesave të personit tjetër. Kjo mund të bëjë që të ndjeheni fajtorë, të pavlerë apo edhe të dëshpëruar.

Së dyti, mund të bëheni mbrojtës ose të zemëruar. Përgjigja juaj mund të jetë, “Kjo është një gënjeshtër! Unë gjithmonë i kam konsideruar nevojat tuaja!” Këtu ju jeni duke fajësuar folësin, dhe përsëri po dështoni të adresoni çështjen themelore.

Një reagim më i mirë do të ishte të vokalizoni ndjenjat tuaja: “Ndihem i degjeneruar kur thoni që jam egoist, sepse jam përpjekur me vetëdije t’i plotësoj kërkesat tuaja”. Përmes këtij procesi të verbalizimit, ju mund të identifikoni vetë përgjigjen tuaj emocionale dhe të adresoni arsyet e konfliktit.

Më në fund, dhe në mënyrë ideale, ju mund të vëzhgoni ndjenjat dhe nevojat e folësit. Ju mund të pyesni: “A mendoni se jam egoist për shkak të një veprimi specifik që kam ndërmarrë? Si mund të tregoj më shumë vëmendje për nevojat tuaja?”

 

Mësoni të identifikoni nevojat në rrënjën e ndjenjave.

Me një kuptim më të mirë të reagimeve dhe ndjenjave tona, le të shohim tani një temë tjetër sfiduese: identifikimin e nevojave tuaja. Arsyeja pse është kaq e vështirë është se njerëzit thjesht nuk kanë praktikë të mjaftueshme për ta bërë atë; në vend të kësaj, ata bien në lojën e fajit. Loja e fajit është një rast klasik i catch-22 sepse ne zakonisht nuk i shprehim nevojat tona, dhe pastaj fajësojmë të tjerët që nuk i përmbushin ato. Ne mund t’i kritikojmë partnerët tanë se janë të rrëmujshëm, sepse ato nuk i plotësojnë standardet tona të pashprehura ndonjëjerë të rregullsisë – si në rastin kur ata mund të lënë enët e palara në kuzhinë – pa komunikuar se ne kemi nevojë për kuzhinë të jetë e rregullt. Dhe kur i fajësojmë ata, ka të ngjarë që ata të ndjehen fajtorë dhe shpejt të bëhen vetmbrojtës.

Ekziston një mënyrë për të zgjidhur këtë çështje, dhe fillon me shprehjen e nevojave tona në mënyrë më të drejtpërdrejtë që mundemi. Fatkeqësisht, shumë prej nesh e kanë të vështirë, dhe madje edhe të frikshme, të shprehin emocionet tona të vërteta. Në veçanti, gratë shpesh neglizhojnë nevojat e tyre për t’u kujdesur për të tjerët, sepse ato janë rritur për ta bërë këtë. Por ne të gjithë mund të mësojmë të jemi më të drejtpërdrejtë. Nëse dëshironi të kuptoheni nga të tjerët – dhe t’i hapni zemrat e tyre ndaj nevojave tuaja – thjesht duhet të shpreheni direkt. Në fakt, sa më e drejtpërdrejtë të jeni në lidhje me nevojat tuaja, aq më lehtë do të jetë për njerëzit e tjerë të plotësojnë nevojat tuaja në një mënyrë të mirëkuptuese. Prandaj, nëse partneri juaj lë pas një turrë me pjata të palara, thuajini atij se si ju bën të ndjeheni dhe ofroni një zgjidhje të mundshme për të dy: “Më shton akoma më tepër stres kur duhet që të pastroj enët e palara pas një dite të gjatë pune. Më lehtëson shumë nëse sigurohesh që ato janë të pastra para se të kthehem? Apo ndoshta mund të krijonim një orar dhe të ndajmë përgjegjësitë?” Nëse nuk i komunikoni nevojat tuaja drejtpërdrejt, do t’i shkaktoni vetes shumë dhimbje të panevojshme në planin afatlargët. Është shumë e rëndësishme që t’i kushtoni vëmendje nevojave tuaja sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe kjo është diçka që do ta shohim më nga afër: si t’i shprehim sinqerisht nevojat tona pasi t’i kemi identifikuar ato?

 

Shprehni atë që dëshironi nga të tjerët për të ndihmuar në plotësimin e nevojave tuaja.

Deri më tani, ne kemi mbuluar tre komponentë të komunikimit jo të dhunshëm: vëzhgime, ndjenja dhe nevoja. Le të kalojmë në fazën përfundimtare të KJD: kërkesa. Si mund t’i shprehim kërkesat tona në një mënyrë që do t’i ndihmojë të tjerët të na përgjigjen me dhembshuri? Një kërkesë duhet të bëhet qartë për të shprehur atë që dëshironi me të vërtetë. Dhe sa më të qartë të jemi në lidhje me atë që duam nga të tjerët, aq më të predispozuar jemi për ta marrë atë.

 

Kjo nënkupton formulimin e kërkesave në gjuhë pozitive.

Gjuha pozitive është kur kërkoni diçka që të bëhet, ndërsa gjuha negative i referohet kur kërkoni dikujt të ndalojë të bëjë diçka. Kjo e fundit ndonjëherë mund të jetë e paqartë dhe mund të çojë në keqkuptime ose konfuzion. Për shembull, një burrë i irrituar me gruan e tij që vinte gjithmonë në shtëpi vonë nga puna i tha asaj: “Ti po qëndron shumë kohë në punë!” Ajo e kuptoi nga kjo gjuhë negative se po punonte shumë; javën tjetër, ajo nënshkroi veten për një udhëtim me kayak. Por kjo nuk ishte ajo që burri donte – ai donte që ajo të kthehej në shtëpi dhe të kalonte kohë me të, ai nuk po thoshte që ajo të punonte më pak. Një kërkesë më e mirë do të ishte, “Unë dua dhe kam shumë nevojë që të kalojmë të paktën një mbrëmje në javë me fëmijët sëbashku.”   Eshtë gjithashtu e rëndësishme të formuloni kërkesa në veprime konkrete, në mënyrë që të tjerët të dinë se çfarë duhet të bëjnë. Imagjinoni një punëdhënës që dëshiron të ketë reagime nga punonjësit e tij, por e di se ata kanë frikë të flasin. Ai mund të thotë, “Unë do të doja të ndjeheshit të lirë të ndanit mendimet tuaja me mua.” Këtu, ai po komunikon se do të donte që ata të “ndjehen të lirë” për të thënë atë që duan. Sidoqoftë, ai nuk thotë se cilat veprime specifike mund të ndërmarrin në mënyrë që të ndjehen të lirë. Për t’i ndihmuar ata ta bëjnë këtë, ai duhet të bëjë një kërkesë duke përdorur parimet e gjuhës së veprimit pozitiv: “Unë do të doja që ju të më thonit se çfarë mund të bëja për ta bërë më të lehtë për ju që të ndjeheni të lirë të ndani mendimet tuaja me mua.”

 

Përdorni KJD për të zvogëluar bisedat gjykuese.

Siç kemi parë, KJD është një mjet i shkëlqyeshëm për të përmirësuar marrëdhëniet me të tjerët; por ka fuqinë të shkojë edhe më tej, duke ju ndihmuar të përmirësoni marrëdhëniet tuaja me veten tuaj. Hapi i parë për një vetë-marrëdhënie më të mirë është të kuptoni kur nuk po tregoheni i mirë dhe i drejtë me veten, dhe një tregues kryesor i këtij zakoni është vetë-bisedimi gjykues. Ky është zëri në kokën tonë që na kritikon edhe për gabimet më të vogla. Ju mund të keni dëgjuar tashmë veten duke thënë, “Unë jam një idiote e tillë!”“Unë nuk mund të besoj se e kam bërë përsëri!” ose “Si mund të jem kaq budallaqe?”.  Tani, në vend që të përfshiheni në këtë dialog të brendshëm të vetë-urrejtjes, përpiquni të kuptoni më mirë dhe të identifikoni nevojat që po nxisin vetë gjykimin tuaj. E vërteta është se vetë-gjykimet – si të gjitha gjykimet e tjera – janë shprehje e nevojave të paplotësuara. Prandaj, kur filloni të dëgjoni vetë-folje gjykuese, duhet të ndaloni ta dëgjoni atë dhe të përqendroni vëmendjen tuaj në nevojat tuaja të paplotësuara.

Për shembull, imagjinoni se jeni gati të jepni një leksion; pak para se të largoheni, ju derdhni kos luleshtrydhe nga nxitimi për të shkuar në auditor. Tashmë mund ta dëgjoni zërin në kokën tuaj duke filluar: “Si munda ta dreqos përsëri?” Në vend që të dëgjoni këtë negativitet, bëni pauzë dhe pyesni veten: “çfarë nevojash të paplotësuar po shprehni me këtë vetë-gjykim?”

Mund t’ju ​​duhet pak kohë ta kuptoni këtë. Por, përfundimisht, mund ta kuptoni që duke dashur të shërbeni të tjerët duke dhënë një ligjëratë të shkëlqyeshme, ju anashkaluat nevojën tuaj për t’u kujdesur për veten tuaj. Ju nuk i dhatë vetes kohë për të ngrënë, dhe kështu zgjodhët një tas me kos si një zgjidhje të shpejtë – dhe pastaj e derdhët. Tani mund ta zëvendësoni vetë-gjykimin me një deklaratë më të ëmbël, p.sh “është mirë, do t’i kushtoj më shumë vëmendje nevojave të mia herën tjetër.”

 

Kur dëgjoni empatikisht, do të dëgjoni ndjenjat, nevojat dhe kërkesat e të tjerëve.

Deri më tani, ne jemi përqendruar në katër komponentë të KJD që janë të rëndësishëm për vetë-shprehje të saktë. Tani le të shohim se si të zbatojmë të njëjtat parime në aftësitë tona të dëgjimit. Para së gjithash, nëse duam të kuptojmë plotësisht një person tjetër, duhet të dëgjojmë empatikisht. Kjo do të thotë të krijoni një kohë dhe hapësirë ​​për të tjerët, ku ata mund të shprehin plotësisht emocionet e tyre – dhe gjithashtu të përpiqeni të ndjeni ashtu siç ata ndjehen. Shumica e njerëzve nuk arrijnë ta bëjnë këtë, dhe në vend të kësaj ofrojnë këshilla, zgjidhje ose siguri. Por ndërsa po përpiqeni të rregulloni problemin e personit tjetër, ka të ngjarë që ju nuk do t’i dëgjoni me të vërtetë emocionet e tyre. Politika më e mirë është të dëgjoni me kujdes dhe të bëni pyetje në lidhje me nevojat, ndjenjat dhe kërkesat e tyre. Ndonjëherë ata në të vërtetë mund të kenë nevojë për këshilla, ose thjesht një përqafim – por ndonjëherë, ata madje nuk mund ta njohin veten e tyre.

Këtu hyn fuqia e reflektimit dhe parafrazimit. Ndonjëherë ajo që njerëzit me të vërtetë kanë nevojë nuk është e njëjta me ato që thonë dhe mendojnë se kanë nevojë. Përmes reflektimit dhe parafrazimit, ju mund t’i ndihmoni ata të kuptojnë se çfarë po përpiqen të komunikojnë. Për shembull, shefja juaj mund të thotë, “Ju nuk jeni një komunikuese e mirë”. Kjo të çudit sepse ajo kurrë nuk është ankuar për këtë më parë. Kështu që ju e reflektoni deklaratën e saj përsëri tek ajoj: “Unë nuk jam një komunikuese e mirë.” Kjo i lejon asaj të zgjerohet në mesazhin e saj, dhe ajo shton “po, ne humbëm një dërgesë dje sepse askush nuk dinte për këtë.”  Për t’u siguruar që e keni kuptuar, ju parafrazoni ato që ajo tha përsëri me fjalët tuaja: “Ne e humbëm një dorëzim sepse asnjë nga anëtarët e ekipit nuk ishte në dijeni të tij.” Kjo i tregon asaj që ju e keni kuptuar dhe i lejon asaj të ju korrigjojë nëse është e nevojshme. Por në vend të kësaj, ajo konfirmon ato që keni thënë, dhe përgjigjet, “Po, ne kemi nevojë për të ndryshuar sistemin, në mënyrë që të gjithë të jenë të vetëdijshëm kur është dorëzimi”. Përdorimi juaj i KJD e ka ndihmuar atë të kuptojë që ajo ka një problem me sistemin realisht, dhe jo me ju.

Mesazhi kryesor:

Komunikimi jo i dhunshëm është një metodë sistematike për të zvogëluar konfliktin në zemrat tona dhe në marrëdhëniet tona ndërnjerëzore. Duke futur dhembshuri në çdo fjalë që flasim dhe duke dëgjuar nevojat e gjithkujt – përfshirë edhe tonat – ne mund të bëjmë gradualisht botën një vend më të mirë.

 

Previous article
Next article

Të fundit