spot_img

Artikuj të ngjashëm

Trajnimet

 

Shumë prej nesh kanë kaluar llojlloj trajnime një-ditore, dy-ditore, tri-ditore, deri katër ditore, apo më shumë. Në fund të këtyre trajnimeve kemi marrë çertifikata si dëshmi e pastaj kemi vazhduar me mënyrën tonë të vjetër të punës dhe pas më së shumti një muaj, kemi harruar që kemi kalu ndonjë lloj trajnimi.

Pse trajnimet kanë aq pak ndikim? Në shumë raste këto trajnime kanë për qëllim më shumë argëtimin sesa ndikimin, zakonisht organizohen jashtë qytetit apo jashtë shtetit me arsyetimin se “nuk kanë ku të ikin pjesëmarrësit gjatë seancave të trajnimeve” ose “vetëm në këtë mënyrë bëhen trajnimet atraktive”. Për ne Kosovarët kjo na kujton një model të kohës së shkuar kur këto lloj trajnimesh janë përjetuar më shumë si ekskursione se sa si ngritje e kapacitetit profesional. Vlerësimi i zakonshëm pas kalimit të këtij tipi të trajnimit pasi që të pyeten “si ke kalu?”nga të afërmit (shokët/shoqet) është “jemi knaqë!” e kurrsesi “kam mësu shumë”.

Ky lloj i trajnimeve janë zakonisht ligjërata apo që aplikojnë metoda shabllone duke u nisur nga supozimi se “të gjithë ne mësojmë në mënyrë të njejtë”, se e kemi “nivelin e njejtë të kuptueshmërisë” dhe zakonisht trajnuesit nisen prej paradigmave të veta pa i marrë parasysh fare specifikat bio-psiko-sociale të pjesëmarrësve. Nuk merret parasysh numri i pjesëmarrësve, pasi që shpesh kuota bëhet për person dhe i vetmi send i rëndësishëm është numri i të pranishmëve, lista e nënshkruar dhe vërtetimi që trajnimi është mbajtur. Asnjë prej trajnimeve nuk merret me përcjellje të rezultateve pas kalimit të trajnimeve por vetëm me letrat që vërtetojnë që trajnimi është mbajtuar dhe vlerësimi i aty-për-aty.

Cilat trajnime janë të mira? Trajnimet janë të mira kur kemi të bëjmë me çështje lineare apo teknike psh: si shkruhet një CV, si të shkruani një biznes plan, si të buxhetoni, si të raportoni, si të mbani financat, si të shkruani një kontratë, si të shkruani një projekt propozim, ciklet e menaxhimit të projekteve, si të shkruani ese, etj. Këto janë gjëra të cilat i kanë formatet e veta të caktuara dhe trajnimi e ka për detyrë vetëm të sqarojë se si të bëhet plotësimi/aplikimi. Pasi që të mësohet kjo do të jetë vetëm përsëritje me përshtatje të vogla. Por të gjitha këto janë ekzakte vetëm nëse kushtet janë të pandryshueshme dhe nuk kanë të bëjnë me faktorin njeri. Nuk kërkohet kreativitet por vetëm ti përmbahemi rregullave dhe formave.

Por çka ndodhë kohëve të fundit në botë? Trajnimet e lartëpërmendura gjithnjë e më shumë bëhen pjesë e trajnimeve të brendshme dhe procedurave të brendshme prandaj nuk ka nevojë për trajnues të jashtëm. Problemi, i cili dalngadalë po e qet kokën edhe në Kosovë është nevoja për zhvillimin e aftësive të cilat janë laterale e jo lineare që kërkojnë njohje dhe kuptim të natyrës njerëzore. Përnjëherë fillohet të kuptohet se kërkesa vie nga njerëzit dhe psikologjitë e tyre dhe produkti krijohet nga njerëzit dhe psikologjitë e tyre. Sado që teknologjia është shumë më e sofistikuar se para 30 vitesh, megjithatë faktori njeri është i pazëvendësueshëm në punët laterale/kreative. Robotizimi dhe digjitalizimi mund të kryejnë vetëm proceset e thjeshta lineare të paraprogramuara të cilat nuk kërkojnë adaptim kompleks. E truri i njeriut, me këtë bombardim të informatave dhe dijeve, po kalon në nivele më të larta të kompleksitetit dhe kërkesa bëhet gjithnjë e më e sofistikuar. Prandaj edhe trajnimet lienare bëhen të panevojshme.

Çka praktikohet së voni në ekonomitë e zhvilluara apo bizneset e suksesshme? Sinergjia. Të gjitha kompanitë e susksesshme, apo më mirë të themi liderët e suksesshëm, e kuptojnë që të gjithë jemi të ndërvarur – jo të varur. Së pari të pavarur (me integritet) e pastaj të ndërvarur.

Çka është integritet? Së pari duhet të dijmë kush jemi, cilat janë vlerat tona, ku duam të arrijmë dhe cili duam që të jetë ndikimi ynë në shoqëri. Pasi që ti kemi këto të qarta dhe këto të jenë vlera të palëkundshme (pa marë parasysh sfidat, nuk dalim prej drejtimit tonë) ne mund të fillojmë të mendojmë për sinergji. Pasi që e njohim veten mirë, është e rëndësishme ti kuptojmë dhe dëgjojmë të tjerët, me të vërtetë ti kuptojmë; dhe vetëm pasi që të njohim veten dhe tjerët mund të hyjmë në marrëveshje sinergjike.

Po si ti arrijmë ne këto? Duhet kohë që të fillohet me shtyllën e parë që sipas Six Seconds (SEI™) është Njihe Veten (kush jam unë, çka dua të arrij në jetë, si reagoj unë ndaj të tjerëve, si i bëj të tjerët të ndjehen, cilat janë forcat e mia, cilat janë sfidat e mia, etj), pastaj të dijmë se si ta menaxhojmë veten me shtyllën – Zgjedhe Veten dhe në fund të hyjmë në raporte/relacione të punës, biznesore, familjare, etj, që është shtylla Jepe Veten. Prandaj, stërvitjet afatgjata e kanë për qëllim që të vlerësojnë potencialin dhe pastaj me stërvitje afatgjatë të ndërtohen shprehitë që janë të suksesshme në të gjitha relacionet që ndërtoni.

Çka është stërvitja? Ky shembull më ka pëlqyer shumë, nuk më kujtohet autori: Nëse doni të luani tenis për argëtim, ju mund të merrni reketin dhe topin dhe të dilni të luani në fushë. Nëse doni të luani në ekip me shoqëri dhe të bëni gara në nivel të ultë ju duhet së paku të trajnoheni për teknikat elementare dhe ti kuptoni rregullat pak më mirë. Por, nëse doni të jeni profesional, ju duhet stërvitës profesional (coach) i cili/e cila së pari e vlerëson potencialin tuaj dhe pastaj në bazë të potencialit e bën stërvitjen tuaj. Pra, nuk ju duhet vetëm ti dini rregullat e lojës por gjithë shprehitë tuaja dhe potenciali duhet ti përshtatet vizionit tuaj. E njëjta ndodhë edhe në biznes. Nëse doni të jeni në ligë të kompanive fituese duhet ta merrni më seriozisht konsulencën afatgjatë dhe ta keni stërvitësin/stërvitësen që ju ndihmon të krijoni shprehi të fituesit. Por, barriera më e madhe është paradigma “unë i di të gjitha edhe nuk kam çka mësoj prej tjerëve, nuk më duhet stërvitës/konsultant” apo edhe më joproduktive është kur tentohet që me imitime sipërfaqësore të bizneseve të suksesshme të tentohet të mimikrohet suksesi.

 

Të fundit