Rinia e ditëve të sotme është rinia e kafeneve, e smartfonëve, e analfabetizmit. Nuk ka ekzagjerime në këtë aspekt. Normalisht ka përjashtime, pasi ka edhe të rinj të përgatitur, nuk e mohoj këtë gjë, por shumica hyn në këtë grup dhe koha thjesht ka sjellë përkeqësimin e gjërave. Ndërkohë që mendonim se teknologjia do t’i përmirësonte gjërat, ajo i përkeqësoi.
Sot hyn në rrjetet sociale dhe lexon plot komente nga të rinj. Të vjen keq që e bastardizojnë aq shumë gjuhën shqipe me shkurtime. Sikur të mos mjaftonte kjo, disa shkruajnë edhe gjëra pa lidhje, shpesh pa kuptim. Krahas analfabetizmit normal, rinia vuan edhe nga analfabetizmi funksional. Shumë nga të rinjtë e sotëm nuk e kuptojnë çfarë lexojnë dhe shkruajnë apo argumentojnë me argumenta pa lidhje me temën që diskutohet.
Sot del për shëtitje rrugëve të qytetit gjatë orareve të shkollës dhe i sheh kafenetë plot me të rinj. Është normale që të lihet mësimi dhe të preferohet kafeneja? Është normale që nga lokali një student të telefonojë miqtë e tij dhe t’i shtyjë të lënë mësimin? Kafja është e ëmbël, por dija është akoma më e ëmbël. Nëse kafja dëmton, dija kurrsesi nuk dëmton.
Sot kemi të rinj që nuk e dinë se çfarë kërkojnë në jetë. Zgjedhin një program studimi, për të cilin nuk informohen lidhur me tregun e punës dhe mundësitë e punësimit. Shkojnë në shkollë dhe provimet i marrin me miq dhe lekë, dalin nga shkolla të diplomuar dhe kur kuptojnë se nuk dinë gjë, i futen një shkolle tjetër, ose nisin një punë që nuk ka lidhje me degën, në të cilën janë të diplomuar.
Sot shohim nëpër emisione të rinj që nuk dinë të flasin. Më ka marrë malli të dëgjoj një të ri me aftësi të mira oratorike dhe që të flasë bukur. Sot të rinjtë nuk kanë fjalor të pasur, nuk lexojnë. Kjo është një humbje e madhe për shoqërinë e vendit tonë, dhe jo vetëm. Kudo po ndodh kështu. Maksimumi mund të lexohet ndonjë histori në wattpad, e shkuar nga ndonjë që as ka lidhje me letërsinë dhe të rinjtë thonë se lexojnë libra jashtëshkollorë. Kjo është gënjeshtër që ia thonë vetes së tyre. Është harruar aroma e fletëve të librave dhe është zëvendësuar me librat online që nuk e kanë kurrsesi fuqinë dhe ndikimin që ka në mendjen e dikujt një libër i vërtetë. Për të mos folur për bibliotekat që as frekuentohen më si më parë. Ose frekuentohen vetëm në periudhat e sezonit, sepse më përpara askush nuk gjen kohë. Janë shumë të zënë nëpër kafene.
Sot jemi kështu, por si do të jemi nesër? Koha ikën shpejt dhe brezat sa po vijnë dhe më shumë po shthuren, më shumë po ndryshojnë për keq. Nuk dua ta mendoj të ardhmen, pasi e di që nuk ka për të rezervuar gjëra të mira. Një rini pa kulturë sot, do të thotë me pak fjalë, një e ardhme e rrënuar nesër.Një rini që sot ta shpif, ka për ta rrënuar akoma më shumë këtë vend. Më dhemb kjo gjë, por më shumë më dhemb mungesa e fuqisë për ta ndryshuar këtë realitet…