-
Çrregullimi bipolar paraqet çrregullim serioz të disponimit. Lëkundjet në disponim janë pjesë e përditshmërisë sonë. Lajmet e mira dhe ngjarjet e këndshme na bëjnë të lumtur, derisa humbja e personit të dashur apo qëllimet e papërmbushura na çojnë në mërzi. Këto janë reagime plotësisht normale të shkaktuara nga rrethanat jetësore. Por, problemi lind kur disponimi ndërron pa asnjë ndikim nga jashtë, d.m.th. pa ndryshime jetësore. Atëherë mund të themi që personi vuan nga çrregullimet e disponimit.
Për fat të keq, çrregullimi bipolar është shumë i përhapur në botë. Vlerësohet që një prej 100 personave të moshës së rritur kanë probleme të këtij lloji në një moment të jetës së tyre. Më konkretisht, rreth 24 milionë njerëz për çdo ditë ballafaqohet me pasojat e tij.
Çka është çrregullimi bipolar?
Çrregullimin bipolar apo psikozën maniako-depresive, siç quhet ndryshe, e karakterizojnë episodet e përsëritura të disponimit, energjisë dhe aktiviteteve të rritura (mania apo hipomania) dhe periudha e disponimit të ulur (depresioni). Pikërisht për shkak të zëvendësimit të fazave të ndryshme ky çrregullim quhet bipolar. Tek personat nuk manifeston probleme tjera psikike.
Ashtu sikur te çrregullimi OKP nuk dallohet saktësisht shkaku, njëjtë nuk ka faktorë të përcaktuar në mënyrë precize që çojnë në çrregullimin bipolar. Gjenetika, prapë, luan rolin kyç. Kjo do të thotë që rreziku nga shfaqja është më i madh nëse në historinë e sëmundjeve të familjes suaj tashmë ekziston rast i çrregullimit. Për këtë arsye ekspertët konsiderojnë atë një shkak biologjik, megjithëse është vërejtur së shpesh shfaqet tek personat me mbipeshë.
Çrregullimi bipolar nuk duhet të merret si i lehtë, sepse në periudha të gjata depresive madje 10 për qind e pacientëve bëjnë vetëvrasje.
Si të identifikohet çrregullimi bipolar?
Sipas ndarjes zyrtare të sëmundjeve mentale çrregullimi bipolar ndahet në disa lloje.
Çrregullimi bipolar I ka të paktën një episod të manisë. Zgjat zakonisht një javë, ndërsa simptomat janë të pranishme në pjesën më të madhe të ditës. Disponimi përnjëherë shndërrohet në depresion. Nuk janë raste të rralla kur simptomat depresive shfaqen gjatë fazës së manisë, por atëherë zgjasin vetëm disa momente.
Çrregullimi bipolar II përfshin më shumë se një periudhë të depresionit të vështirë, që zgjat së paku 2 javë. Simptomat e manisë janë shumë të lehta dhe manifestohen më së shumti 4 ditë. Për shkak të kësaj, imazhet shpesh kalojnë pa u vënë re, kështu që personat lajmërohen për shkak të depresionit, e nuk janë të vetëdijshëm që vuajnë nga çrregullimi bipolar.
Tek çrregullimi ciklotimik janë të pranishme periudha të shumta të hipomanisë dhe depresionit, por simptomat nuk janë intensive.
Faza e manisë manifestohet me disponim euforik, e cila mund të shkojë prej shqetësimit në agresivitet. Janë të pranishme edhe aktivitetet e shtuara fizike dhe nxitja seksuale, derisa zvogëlohet nevoja për gjumë. Pacientët me mani flasin shpejtë, madje në mënyrë imponuese dhe pandërprerë. Mund të shfaqet edhe nevoja për blerjen e gjërave të panevojshme, të bëhen marrëveshje të dobëta financiare, vozitja e rrezikshme, si dhe përdorimi i drogës dhe alkoolit.
Shenjat kryesore të episodeve depresive janë ndjenja e mërzis dhe ndjenja e pashpresë, ankthit, humbja e interesit për gjërat që më herët paraqitnin lumturi. Pasta, çrregullimi i gjumit dhe ushqimit, problemet me përqendrimin dhe lodhja e vazhdueshme.
Edhe njëra edhe faza tjetër prishin në masë të madhe kontaktet me njerëzit tjerë dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme.
A mund të shërohet çrregullimi bipolar?
Pasi që shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm që kanë çrregullim bipolar, njohja e simptomave dhe diagostifikimi i hershëm janë thelbësore për eliminimin e problemeve.
Trajtimi parësor përfshin psikofarmakoterapinë, përkatësisht përdorimin e antipsikotikëve të përshkruar, stabilizuesve të disponimit dhe antidepresivëve. Gjithashtu, ndikim të madh në shërim të suksesshëm ka psikoterapia sepse përmes saj zbulohet burimi i problemeve. Njëkohësisht, pacienti mësohet së të përballet me simptomat e padëshirueshme.