Disa lloje harresash – si për shembull të harrosh herë pas here të paguash një faturë apo një fjalë të caktuar-janë të pritshme në çdo moshë. Por rënia e aftësive njohëse – siç është përpjekja e vazhdueshme për të kujtuar faturat e përmuajshme apo për të qëndruar të fokusuar gjatë bisedës, nuk janë një pjesë e natyrshme e plakjes. E vërteta është se truri, ashtu si trupi juaj, është gjithmonë i aftë të ndryshojë për mirë ose për keq. Dhe shkalla dhe natyra e këtij ndryshimi ka të bëjë më pak me moshën, dhe më shumë me veprimin. Dihet tashme se nëse stërviteni vazhdimisht, mund të përmirësoni performancën e trupit tuaj.
Për shembull, me programin e duhur të stërvitjes, mund të përmirësoni shpejtësinë e vrapimit për një 1 km apo të shtoni peshën që mund të ngrini në palestër. Nga ana tjetër nëse nuk ushtroheni fizikisht dhe kaloni orë të tëra ulur çdo ditë, kjo gjë do të sjellë pasoja negative të lidhura me shëndetin, siç është rreziku më i lartë i goditjes në tru. Ajo që nuk kuptojnë shumë njerëz, është se ashtu si trupi, edhe performanca e mendjes suaj përmirësohet me stërvitjen e duhur dhe të qëndrueshme. Dr.Sanjaj Gupta, eksperti kryesor mjekësor i CNN, flet për 5 “shtyllat e shëndetit të trurit”. Ja cilat janë ato:
Lëvizni trupin
Ushtrimet fizike janë gjëja e vetme më e rëndësishme që mund të bëjë çdokush për të përmirësuar funksionimin e trurit dhe elasticitetin ndaj sëmundjeve.“Përdorimi i sheqerit për të ushqyer muskujt ndihmon në parandalimin e luhatjeve dramatike të glukozës dhe insulinës, të cilat shtojnë rrezikun e sëmundjes së demencës”-thotë Gupta. Stërvitja sjell shumë përfitime të tjera për shëndetin e trurit,si për shembull çlirimin e kimikateve që rrisin humorin dhe ulin prodhimin e hormoneve të stresit. OBSH rekomandon 150 minuta aktivitet fizik në javë. Por edhe vetëm disa minuta ushtrime në ditë do të forcojnë shëndetin e trurit, si dhe mirëqenien tuaj të përgjithshme. Në fakt, një studim i fundit zbuloi se vetëm 11 minuta ushtrime në ditë mund të rrisin jetëgjatësinë tuaj.
Mbajeni gjithmonë të angazhuar mendjen
Fjala e urtë “përdoreni ose humbeni atë” vlen si për trupin ashtu edhe për trurin tuaj. Lojërat e ndryshme në internet, që përfshijnë veprimet e shpejta ju ndihmojnë që ta mbani mendjen tuaj të mprehtë. Garantimi i një shëndeti optimal të trurit, nënkupton mbajtjen e tij vazhdimisht të angazhuar. Një studim francez me gati gjysmë milioni njerëz, tregoi se ata që dolën në pension në moshën 65 vjeç ishin 15 për qind më pak të rrezikuar nga zhvillimi i demencës sesa ata që dolën në pension 5 vjet më parë. Po ashtu studimi zbuloi se ka shumë rëndësi edhe cilësia e angazhimit. Kjo nënkupton përfshirjen në aktivitete që kërkojnë arsyetim, zgjidhjen e problemeve dhe fitimin e njohurive të reja. Nëse keni dashur gjithmonë të mësoni një gjuhë tjetër, kjo është një shtysë e madhe. Ose provoni diçka të re në një kurs gatimi në internet, filloni një hobi të ri apo lexoni një libër që është jashtë profesionit tuaj.
Relaksoni trupin dhe trurin tuaj
Gjumi nuk është vetëm një kohë pushimi, por edhe një proces thelbësor ripërtëritje që ndikon në të gjitha sistemet e trupit. Kjo është veçanërisht e vërtetë për trurin, që mbështetet tek një gjumë cilësor çdo natë për konsolidimin e kujtesës. Përveç ushtrimeve fizike, ju mund të praktikoni çdo ditë frymëmarrjen e thellë për të fjetur sa më shpejt dhe në mënyrë më cilësore.
Ushqejeni trurin tuaj
Nuk mund të mohohet që ushqimi dhe pijet që konsumojmë, mund të kenë pasoja pozitive ose negative në shëndetin tonë. Ndaj konsumimi i ushqimeve të caktuara dhe kufizimi i të tjerave, mund të ndihmojë në promovimin e shëndetit të trurit dhe parandalimin e rënies. Për shembull, një studim i fundit zbuloi se dieta mesdhetare mund të kufizojë rrezikun për demencën. Ajo kufizon ushqimet e përpunuara dhe mishin e kuq në favor të frutave dhe perimeve të freskëta, arrave dhe farave, drithërave integrale dhe vajit të ullirit ekstra të virgjër.