Presidenti amerikan, Donald Trump, shpërndau në Twitter një thirrje për shkarkimin e Dr. Anthony Faucit, pasi eksperti më i lartë i vendit për sëmundjet infektive tha se mund të ishin shpëtuar më shumë jetë, nëse vendi do të ishte mbyllur më shpejt gjatë shpërthimit të koronavirusit.
Presidenti Trump shpërndau të dielën në Twitter mesazhin e shkruar nga një ish-kandidat republikan për në Kongres, i cili citonte komentet e zotit Fauci gjatë një interviste televizive të dielën. Mesazhi në Twitter titullohej “koha për të #ShkarkuarFaucin”.
Presidenti republikan në të kaluarën ka shpërndarë mesazhe kritikuese (të të tjerëve) për zyrtarët ose kundërshtarët e tij, duke mos preferuar t’i bëjë vetë kritikat. Shpërndarja e këtij mesazhi në Twitter nxiti spekulimet se Presidentit Trump po i mbaron durimi me shkencëtarin e mirënjohur dhe se mund ta shkarkojë atë, transmeton VOA raportin e Reutersit.
Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi të hënën këtë veprim në Twitter të Presidentit Trump.
Dr. Fauci ka marrë rëndësi kombëtare dhe një nivel pëlqimi, si një udhëheqës në luftën kundër koronavirusit. Ai ka kundërshtuar ose korrigjuar Presidentin Trump për çështje shkencore gjatë krizës së shëndetit publik, siç ishte p.sh. gjatë diskutimit nëse ilaçi anti-malaria hidroksilklorina është efektiv apo jo kundër koronavirusit.
Dr. Fauci u pyet në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN në lidhje me një raport të gazetës New York Times që dokumentonte paralajmërimet e hershme të dërguara Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin. Shkencëtari pranoi se mbyllja e vendit më shpejt mund të kishte shpëtuar jetë, por paralajmëroi se ishin të përfshirë një numër faktorësh.
“Natyrisht, do të ishte mirë nëse do të kishim patur një fillim më të mirë, por unë nuk mendoj se mund të thoni se jemi këtu ku jemi tani për shkak të një faktori”, tha Fauci. “Është shumë e ndërlikuar”.
I shndërruar tashmë në një objektiv të ekstremit të djathtë për kundërshtitë e tij ndaj Presidentit Trump, dr. Fauci tërhoqi kritika të mëtejshme pas intervistës. Materialin e gazetës e denoncoi gjithashtu Presidenti Trump të dielën në Twitter, duke e cilësuar atë “Fake” (“Fals”).
Javën e kaluar gjatë konferencës së përditshme për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump ndërhyri dhe e pengoi dr. Faucin t’i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me hidroksiklorurinën.
Dr. Fauci, 79 vjeç, ka udhëhequr agjencinë federale të sëmundjeve infektive që nga viti 1984 nën udhëheqjen e presidentëve republikanë dhe demokratë. Republikani George W. Bush e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2008.
Disa sondazhe gjatë krizës së shëndetit publik kanë treguar se amerikanët i besojnë atij më shumë sesa Presidentit Trump.
Dr. Anthony Fauci, tha të enjten se nuk është e sigurt nëse kërcënimi i koronavirusit që ka përfshirë botën, do të zbehet me ngrohjen e kohës në hemisferën veriore gjatë javëve të ardhshme.
Dr. Fauci tha në emisionin “Good Morning America” të televizionit ABC se me infeksione të tjera si gripi, kur ngrohet koha “aftësia e virusit për t’u shumëfishuar, për t’u përhapur, dobësohet”.
“Por nuk duhet të mendojmë se ndryshimi i kohës do ta na shpëtojë. Duhet të supozojmë se virusi do të vazhdojë të veprojë. Nëse koha na ndihmon, në rregull. Por nuk besojmë se duhet ta supozojmë një gjë të tillë”, shtoi ai, raporton VOA.
Vendet e botës vazhdojnë të përballem me pasojat shëndetësore dhe ekonomike të koronavirusit. Sipas shifrave të fundit të Universitetit Johns Hopkins, mbi 1.5 milionë vetë në gjithë botën janë prekur COVID-19, dhe mbi 91 mijë kanë vdekur.
Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve me koronavirus është afro 16 mijë, ndërsa numri i të prekurve është mbi 451 mijë, ndërkohë që vendi është në javën kur sipas ekspertëve epidemia pritet të arrijë pikun e saj. Epiqendra vazhdon të jetë Nju Jorku, ku guvernatori tha se përpjekjet për distancim social po funksionojnë.
Mbi 6 mijë vetë kanë vdekur në Nju Jork. Ndërkohë, po bëhen gjithnjë e më të qarta pasojat e koronavirusit për ekonominë në SHBA. Numri i amerikanëve që kërkuan pagesë papunësie javën e kaluar ishte 6,6 milion, një shifër rekord, ndërkohë që masat për frenimin e sëmundjes e kanë paralizuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik.
Ndërkohë, kreu i Rezervës Federale Jerome Powell shpalli një seri programesh të enjten që tha se do të japin 2.3 trilion dollarë kredi, duke zgjeruar operacionet e Rezervës Federale për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme në qytetet dhe shtetet amerikane.
Banka qendrore amerikane gjithashtu dha më shumë hollësi në lidhje me ndërhyrjet e saj në treg, duke përfshirë planet për të blerë bono të korporatave si në nivel investimesh, ashtu edhe të bonove me interes të lartë. Në Evropë, zyrtarët u thane qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi gjatë Javës së Shenjtë të Pashkëve, një periudhë ku zakonisht bëhen pelegrinazhe dhe pushime.
Ndërkohë Kryeministri britanik, Boris Johnson vazhdoi të përmirësohej dhe ka dalë nga njësia e kujdesit intensive në spitalin ku po trajtohet nga koronavirusi.