Prindërit janë personat më të rëndësishëm të jetës sonë dhe humbja e tyre është tepër e vështirë të pranohet e të përballohet. Një nga detyrat më të vështira të prindit të mbetur është t’i ndihmojnë fëmijët që të pranojnë humbjen e prindit tjetër. Fëmija e ka të nevojshme të mësohet ta pranojë humbjen e një personi të dashur, të një miku, madje edhe të njërit nga prindërit.
Kjo e fundit është padyshim humbja më e rëndë për fëmijën dhe më e vështira për t’u kaluar. Një gjë që ndodh shpesh është mbrojtja ose largimi i fëmijëve nga bisedat që kanë si temë “humbjen”. Prindi dhe të afërmit nuk i shprehin ndjenjat e tyre për ngjarje të rënda dhe aq më pak për vdekjen para fëmijës. Por fëmija duhet përgatitur për jetën, e cila ka brenda edhe ndarjen nga jeta të një personi të dashur.
Duhet të kuptojmë se nëse nuk veprojmë me zgjuarsi dhe hap pas hapi për edukimin e fëmijës në lidhje me këtë pjesë të jetës, atëherë ato do ta kenë shumë më të vështirë dhe humbjet do të lënë gjurmë tek ta përgjatë gjithë jetës së tyre.
Si mund të ndihmohen fëmijët në këtë drejtim? Më poshtë mund të lexoni disa hapa të rëndësishëm për t’u praktikuar:
– Të mos fshihet dhimbja përpara fëmijëve. Fëmija e ka të nevojshme të mësojë (të dijë) se dhe të tjerët, sidomos prindi, janë të mërzitur, por edhe se të gjithë do të vazhdojnë të kujdesen për të.
– Është mirë që prindi t’ia tregojë vetë fëmijës humbjen e prindit tjetër. Në rastet kur prindi është shumë i tronditur, atëherë një i afërm i dashur për fëmijën duhet ta bëjë këtë.
– Duhet treguar e vërteta, gjithmonë në mënyrë më të zbutur e të pranueshme: “Një gjë e dhimbshme ka ndodhur. Siç e di dhe ti, mami/babi ka qenë shumë sëmurë dhe mjeku tha se ajo/ai nuk është/jeton më. Ne do ta ndiejmë mungesën e tij/saj”.
– Mos thoni kurrë gjëra të tipit: “Babai/nëna jote ka ikur në një udhëtim të gjatë” apo “Zoti e mori me vete”. Fëmijët, nga mosha tetëvjeçare e më pas, e dinë shumë mirë se ç’është vdekja. Më mirë përgjigjuni hapur pyetjeve të tyre.
– Nëse fëmija dëshiron të jetë prezent në varrim, duhet lejuar të vijë. Kjo e ndihmon atë ta pranojë më lehtë vdekjen. Ai duhet të lejohet të shikojë edhe trupin, nëse e kërkon një gjë të tillë.
– Fëmija duhet ndihmuar të shprehë ndjenjat dhe mendimet. Nëse fëmija nuk flet për humbjen, kjo nuk do të thotë se nuk e ndien atë. Ndihmojeni, duke i thënë: “E di se të mungon shumë mami/babi”.
– Reagimi i fëmijës mund të jetë i ndryshëm. Çdo lloj reagimi i tij duhet pranuar, ju mund të qani bashkë me ta nëse e ndieni në mënyrë që të dy të jeni më të qetë dhe gradualisht të mësoheni me humbjen.
– Duhet të përpiqeni të mbani të gjallë te fëmija kujtimin e prindit që s’është më. Nuk duhen ndaluar bisedat për të. Është mirë të shihni fotografi së bashku me fëmijën dhe të flisni për ato që kanë ndodhur në ditën kur është bërë fotografia.
Dihet se nuk ka person në botë që mund të zërë vendin e prindërve dhe për këtë arsye dhimbja do të jetë e madhe. Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më të vështirë do ta këtë ta kuptojë atë që po ndodh, dhe aq më të vështirë do ta keni edhe ju për t’ia shpjeguar. Pas humbjes, fëmija duhet të marrë nga ju mbështetjen dhe vëmendjen maksimale dhe kjo bëhet duke mbledhur të gjitha forcat për t’ia dhënë këtë vëmendje. Ju nuk duhet të lejoni që humbja e prindit tjetër, të krijojë çarje në marrëdhënien që keni ju me fëmijën. Shpesh dhimbje të tilla janë të vështira të menaxhohen nga familjarët, por jeta është e gjatë dhe fëmija duhet të marrë kujdesin e duhur, sepse në gjithë fatkeqësinë, ai është personi më pak i aftë ta përballojë dhe pranojë.