Kur bëhet fjalë për të folur në publik, nuk duhet të përgjithësohet mbi faktin që dikush mund të ketë një moment të ankthit fillestar, lehtësisht të “shtypshëm”. E më pas, të jetë në gjendje të zhvillojë me besim një fjalim të tërë. Frika ose pasiguria e të folurit në publik, për ata që nuk e dinë ende, mund të jetë një fobi e vërtetë.
Simptomat
Disa njerëz janë veçanërisht të prirur për situata ku gjenden të ekspozuar ndaj një audience. Ndërsa për të tjerët, një situatë e tillë mund të çojë në panik total. Me simptoma shumë të ngjashme me ato të sulmeve të ankthit. Vështirësi në frymëmarrje, djersitje të ftohta, dridhje dhe një zë i mbytur.
Për më tepër, kjo lloj fobie prek një pjesë shumë të madhe të popullsisë perëndimore. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, 75% e popullsisë vuan prej saj. Problemi i përhapjes së glossophobi-së nuk do të ishte veçanërisht i rëndësishëm, nëse kjo nuk do të lidhej me punën. Shumë punonjës, në fakt, pasi kanë arritur një nivel të caktuar profesional, kërkohet të flasin në publik. Si përpara ekipeve të tyre, ashtu edhe para të panjohurve. Të jesh në gjendje të përballesh me këto momente me siguri dhe qëndrueshmëri, sigurisht që përbën një cilësi e cila vlerësohet pozitivisht.
Atëherë, si mund ta menaxhojmë një ankth që duket i pakontrollueshëm? Kemi mbledhur të gjitha metodat e nevojshme për të filluar ndërgjegjësimin mbi këtë çështje dhe për t’u përgatitur për të folur në publik.
Shtatë këshilla për kapërcimin e fobisë tuaj:
1) Përgatitja do të japë frutet e veta
Para së gjithash, nëse duhet të mbani një fjalim në publik, mbani mend që keni një rol me peshë, prandaj filloni të rrisni vetëvlerësimin tuaj: duhet të jeni krenarë për detyrën që ju është caktuar. Trajnerët e jetës dhe psikologët pohojnë se përgatitja shumë e mirë, do të jetë gjithmonë më mirë sesa improvizimi përballë situatave të tilla: nëse e keni mësuar një fjalim me të vërtetë të mirë, edhe në momentet e “zbrazëtisë”, në të cilat ju e humbni fillin, do të dini gjithësesi të improvizoni dhe të rilidheni me një nga temat kryesore në rrëfimin tuaj. Njësoj si në sport, përtej rezultatit përfundimtar, të folurit në publik do u dalë më mirë, atyre që praktikojnë vazhdimisiht.
2) Përqendrohuni në ruajtjen e qetësisë
Kur flasim në publik, zakonisht është mirë të flasim më ngadalë se zakonisht. Në mënyrë që të kuptohen qartë të gjitha konceptet, por edhe në mënyrë më ritmike dhe të vendosur. Janë dy faktorë që mund të përmirësohen përmes ushtrimit. Kjo metodologji është e dobishme, sepse kur jeni në një situatë të sikletshme, keni tendencën ta shpejtoni fjalimin tuaj. Dhe ndoshta ndodhin edhe fenomene që nuk ju ndodhin kurrë në jetën e përditshme, siç është belbëzimi. Prandaj, filloni dhe provojeni fjalimin tuaj me një ritëm të ngadaltë. Më pas, për ta përsosur përshtasni ritmin dhe thekset e ndryshme vokale. Eshtë lëvizja e duhur për të shmangur incidentet.
3) Bëni prova para pasqyrës
Edhe nëse në fillim pasqyra mund të duket armiku më i keq, në këto raste do të bëhet aleati juaj më i mirë. Nëse filloni të provoni fjalimin para pasqyrës, ajo do t’ju sugjerojë të gjitha masat paraprake që duhet të merrni. Për mënyrën se si shpreheni vizualisht, që nga ndryshimi i shprehjes së fytyrës, deri ku e çoni vështrimin tuaj dhe si punoni me gjestikulacionet. Duhet t’i kushtoni shumë vëmendje kësaj pike të fundit, që shpesh anashkalohetT tensioni, mund t’ju shtyjë ta teproni me gjeste, duke shpërqendruar publikun. Pikërisht për këtë arsye, idealja është që të filloni të përgatiteni për një fjalim që nuk është bërë vetëm nga fjalë, por edhe një gjuhë e trupit, e cila është në harmoni me mesazhin që dëshironi të përçoni.
4) Zgjidhni një audiencë të vogël
Nëse keni miq të vërtetë, ky mund të jetë rasti i duhur për të kërkuar mbështetjen e tyre. Mënyra ideale për t’u përgatitur për ndjesitë që do të keni në skenë, është të filloni të përsërisni performancën tuaj para një grupi të vogël miqsh. Mënyra më efektive është të filloni para një personi të vetëm, dhe më pas të merrni 3 – 5 miq për t’ju dëgjuar: duke provuar me një audiencë që zgjerohet ngadalë, do të merrni “pilula” të vogla vetëvlerësimi. Ato do të bëhen shtytja juaj për të fituar sigurinë me fjalimin zyrtar. Edhe kritikat konstruktive, të bëra nga miqtë që janë vërtet të sinqertë me ju, do të jenë shumë të dobishme.
5) Përqendrohuni në mendimet pozitive
Nuk ka rëndësi vetëm përgatitja për raste të tilla. Duhet të përqendrohemi ekskluzivisht në mendime pozitive. Nëse praktikoni tashmë disiplina të tilla si joga dhe meditimi, për shembull, mund të përfitoni nga mentaliteti i duhur për këto performanca. Sepse ju duhet një dozë e fortë proaktiviteti dhe pozitiviteti. Ata që vuajnë nga ankthi i të folurit në publik, shpesh krijojnë një kurth mendor që e lidh performancën me mendime negative, siç janë dështimi ose mospëlqimi i publikut. Ndaj, nëse jeni mësuar të krijoni një moment qetësie dhe pozitiviteti, do të keni një armë të dobishme për t’u përgatitur për një fjalim të mirë.
6) Mendoni për audiencën
Një marifet për të mos u përqëndruar shumë tek vetja, është të përqendroheni te publiku. Dhe me arsye madje: ju po përgatiteni t’i flisni një grupi njerëzish, që mblidhen për të mësuar ose për t’u frymëzuar duke dëgjuar fjalimin tuaj. Qëllimi juaj është pikërisht të mbërrini tek ata në mënyrën më të mirë, dhe të “kënaqni” pritshmëritë e tyre. Pikërisht për këtë arsye, përpara se të dilni në skenë, përfytyroni në mendjen tuaj kënaqësinë që do të marrë audienca. Përfytyroni “suksesin” e fjalimit tuaj, në vend se të mendoni për performancën në detaje. Ky imazh do t’ju japë një nxitje pozitive, duke eleminuar fokusimin tek vetja, që mund t’ju shkaktojë ankth.
7) Të pëlqyeshëm dhe me impakt, jo të përsosur
Edhe estetika luan rolin e saj: shfaquni me një pamje të bukur dhe me rroba që pasqyrojnë figurën tuaj në punë, në mënyrë që të shpreheni me të gjithë personin që jeni. Mos harroni se askujt nuk i pëlqen përsosmëria ekstreme. Dhe mbi të gjitha nuk është e domosdoshme, për një fjalim të suksesshëm. Gjëja më e rëndësishme është të jeni të qetë dhe “të afërt” me ata që ju dëgjojnë. Mendoni për folësit e shkëlqyer si Barack Obama, dhe zgjidhni nga kush të frymëzoheni. Ish-presidenti amerikan dukej gjithmonë i natyrshëm, i sinqertë dhe profesional. Këto tre karakteristika personale e kanë bërë atë, një folës të paharrueshëm.