HomeSuksesiJetoji ëndrrat e tua
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Jetoji ëndrrat e tua

Imagjinoje pak veten sikur je 90 vjeç duke pushuar në një karrige dhe duke menduar për jetën tënde. E krijove pak a shumë një imazh? Shumë mirë. Tani më lejo të të them diçka. Studimet tregojnë se pendesa më e madhe e njerëzve të moshuar nuk ka të bëjë me ato gjëra që kanë bërë, por me ato që nuk i kanë bërë, me rreziqet që nuk i ndërmorën. Sa e trishtë do të dukej sikur të mbërrije në fund të jetës tënde dhe të kuptoje se nuk kishe jetuar vërtet?

Kjo është jeta jote. Nuk i përket askujt tjetër. Nuk ka rëndësi nëse miqtë, shoqëria, apo familja të thonë të jetosh siç duan ata. Programin e jetës tënde e drejton ti. Ti je në kontroll të jetës tënde dhe duhet të bësh atë që duket e drejtë në zemrën tënde.

Tani shko të ulesh sërish në karrigen ku ishe ulur dhe mendo se çfarë do të thotë vetja jote në të ardhmen për idetë që nuk i vure në praktikë, për fjalët që nuk i the, sepse ishe i lodhur ose i frikësuar, apo se doje të dukeshe sa mirë. Por madhështia nuk ka të bëjë me të dukurin mirë. Unë e kuptoj, ti do t’i arrish kollaj gjërat, por madhështia nuk arrihet lehtë. Nëse do të ishte e lehtë, do të shikoje më shumë njerëz të suksesshëm: astronautë, atletë profesionistë, apo superheronj. Por jo, ajo që sheh, janë thjesht disa njerëz që ankohen në Facebook për të marrë disa like më tepër. Por këta njerëz nuk pëlqejnë veten e tyre. E kupton tani ndryshimin midis triumfuesve dhe dështakëve është qëndresa. Nuk ka të bëjë shumë talenti, por përpjekjet.

Mbill një pemë dhe shiko se sa vonon të dalë nga toka, apo sa vonon të nxjerrë frutat e saj. Ajo kërkon vëmendje, kujdes dhe ujë përditë. Nëse disa ditë e lë pas dore atë pemë, ajo thahet. Edhe udhëtimi yt në jetë nuk ka për të qenë i thjeshtë. Do të kërkojë kohën e vet dhe kur ke një ëndërr, njerëzit do të qeshin sepse nuk do të shohin atë që sheh ti. Ata do të thonë: “Kush është ai budallai që ujit tokën?”. Ata janë të paaftë të shohin planin që është mbjellë brenda teje. Ata shohin, por nuk kanë vizion. Vetëm ti ke një vizion të qartë, ndaj lëri ata të qeshin.

Ata do të thonë: “Ji real, ji realist”, por realizmi ndonjëherë është një justifikim për pesimizmin. Nuk duhet t’i lejosh opinionet e njerëzve të tjerë të përkufizojnë realitetin tënd, ndaj lëri ata të qeshin. Unë të garantoj se nuk ke për të gjetur ndonjë person të suksesshëm në histori, për të cilin njerëzit nuk kanë qeshur fillimisht.

Ndaj, mjaft u shqetësove për reputacionin tënd, sepse reputacioni është ajo çfarë njerëzit mendojnë për ty. Karakteri yt është ai që ti je vërtet. Mjaft u mendove për diçka, bëje. Bëje për veten, sepse ti e meriton. Jetoji ëndrrat e tua. Ndoshta nuk ke për të qenë më i miri që në fillim, por nëse fillon, ke për të përfunduar si më i miri.

 

Të fundit