HomeLidershipLidershipi
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Lidershipi

 

Shumë liderë të suskesshëm në biznes pas një kohe arrijnë pikën kur janë të ballafaquar me stagnim apo rrezik të stagnimit dhe nuk shohin rrugëdalje. Kjo ndodhë për arësye se kushtet jetësore (rrethanat) kanë ndryshuar dhe ata nuk duan të ndërrojnë mënyrën e punës dhe mentalitetin që i ka sjellë deri aty. Ky është momenti kur dikush që ka qenë lider në atë që bënë tani stagnon dhe, në vend që të tenton të gjenë mënyra të reja për të dalë nga situata, i kthehet nostalgjisë dhe dëshiron të kthen kohërat e vjetra kur “ka pasë moral, kur ka pasë burrëri, besnikëri, respekt ndaj titullit, pozitës, më të vjetërve, etj”. Por këtu qëndron problemi.

Çka do të thotë të jesh lider. Fjala lider, apo udhëheqës në shqip, është personi që udhëheqë në një fushë, që është para tjerëve. Lider është dikush që mëson prej gabimeve të së kaluarës dhe merr mësime nga e kaluara por nuk i përsëritë veprimet e së kaluarës, është inventiv dhe është gjysëm hapi “para kohës” prandaj, nuk mund të veprojmë gjithnjë me mënyra të vjetëruara. Koha fatkeqësisht nuk i ka dy drejtime por vetëm përpara, prandaj nuk mund të kthehet prapa. Edhe zhvillimi i kompleksitetit njerëzor vazhdon përpara dhe nuk mund të kthehemi kurrë më në vlerat e vjetra. Prandaj, kur dëgjojmë këso lloj ankesash prej njerëzve që janë në pozita udhëheqëse, kjo na tregon se ky lloj “udhëheqësi” është bllokuar dhe nuk mund ta mbajë hapin me kohën ose më saktë me kushtet e reja jetësore.

Çka janë kushtet jetësore. Zakonisht kur dikush folë për kushtet apo rrethanat mendohet në diçka abstrakte, thuase kushtet ekzistojnë vetvetiu pavarësisht nga ne, dhe ne si njerëz nuk kemi fare të bëjmë me këto. Nuk jemi të vetëdijshëm që ashtu sikur që dikush është “rrethanë” për ne edhe ne jemi “rrethanë” për të tjetrët. Prandaj, në të gjitha relacionet tona jetësore si fëmijë, prind, i punësuar, punëdhënës, shok, shoqe, burrë, grua, qytetar, votues, etj, ne jemi “rrethanë” së bashku me të tjerët që kanë relacione me ne. Të gjithë ne i krijojmë rrethana njëri tjetrit dhe duke e kuptuar këtë me të vërtetë, jo vetëm intelektualisht, ne fillojmë të sillemi me më përgjegjësi dhe fillojmë të kuptojmë jetën ndryshe.

Çka ka të bëjë kjo me lidershipin. Secili udhëheqës është edhe krijues i rrethanave të veta prandaj në vend të ankimit për rrethanat e reja si jo të mira, për vlerat e reja si jo të mira ai/ajo duhet ta pyesë veten se ku ka ndikuar ose me çka ka ndikuar në krijimin e këtyre rrethanave që nuk i pëlqejnë. Ndoshta është marrë vetëm me përfitimin e vet personal, nuk i ka interesuar sistemi i shkollimit në kohën kur ka qenë në garë për të fituar para dhe nuk ka dhënë kurrfarë kontributi në këtë drejtim. Në garën tonë për përfitime, harrojmë që për ta arritur atë, ne është dashur të bëhemi më të mirët në një fushë të caktuar dhe, duke e arritur këtë, nuk kemi pasë kohë të shohim rreth vetes se si kemi ndikuar edhe në ngritjen e kërkesës nga klientët derisa shoqëria në tërësi nuk ka ecë me këtë hap. Përnjëherësh na duhet personel më i avancuar se atë që e kemi punësuar deri në atë moment, pasi që edhe klientët e kanë ngritë nivelin e tyre dhe e kanë barazuar në nivelin tonë dhe tani kërkesat e tyre janë përnjëherësh pak më të avancuara e ne nuk jemi në gjendje ti bëjmë këto vetëm me forcat personale. Për këtë na duhet një ekip që tani e kemi shumë të vështirë ta krijojmë pasi që nuk ka persona të tillë në treg. Në mënyrë që shoqëria të ndikohet do të duhej të mendonim se si të krijojmë këtë “shtresë” të fuqisë punëtore që do të na duhej në momentin kur duam të ecim përpara. Fatkeqësisht kemi menduar vetëm në afat të shkurtë e jo në afat të gjatë e tani ajo na hakmerret. Dhe në këtë monet fillojmë të ndihemi nostalgjik për kohërat e fillimit të biznesit ku kemi qenë më të sigurtë në atë që kemi bërë. Po të kishim investuar, ta zëmë, në edukimin e gjeneratave të reja do të ndikonim në ngritje të nivelit të “kulturës” pak më gjërë dhe edhe bota “akademike” do të hecte me të njejtin hap. Situata ku gjindemi është jokongruente ku edukimi nuk është më kompatibil me atë që ne na nevojitet. Pra, mendimi afatshkurtë na sjellë në situatën ku, prej një lideri të mëparshëm, përnjëherë kemi arritë në pikën ku nuk mund të hecim më përpara dhe fillojmë ti thërrasim kohërat e vjetra me nostalgji pasi që nuk dimë se si ta tejkalojmë situatën në të cilën gjindemi. (Këtu nuk e shqyrtojmë tipin e biznesit që arrin suksese afatshkurta me metoda korruptive, apo metoda tjera që janë jashtë lojës fer në biznes, pasi që ky lloj i biznesit as që lexon analiza të tilla dhe nuk i ka konceptet e lidershipit por vetëm të përfitimit afatshkurtë personal).

Lidershipi sipas botëkuptimeve më të reja. Lidershipi kërkon një mentalitet të mendimit afatgjatë e që kërkon fleksibilitet të lartë. Në botë veç kemi raste të këtilla si Bill Gates, Warren Buffet dhe shumë tjerë të cilët e kanë kuptuar që duhet të kthehet diçka në komunitet pasi që komuniteti është substrati apo “rrethana” që e ka mundësu suksesin e secilit duke mos lënë anash inteligjencën e tyre kognitive dhe sociale që i ka dalluar ata nga të tjerët. Por nëse vetëm marrim nga komuniteti dhe nuk kthejmë asgjë prapa, atëherë e humbim balancin dhe kalojmë në shpirtngushtësi dhe kthehemi në modelin të cilin në fillim të karrierës e kemi luftuar me çdo kusht. Të gjithë e dijmë “luftën” me prindërit apo me gjyshërit të cilët mundohen të na bindin se vlerat e tyre të vjetra kanë qenë më të mira dhe na bëjnë presion që të veprojmë në atë metalitet, por ne kemi dashtë të arrijmë shumë më shumë se ata dhe i kemi përqafuar kushtet e reja dhe jemi adaptuar e ndoshta kemi ecë pak më përpara se ato. Dhe pasi kemi arritë aty ku kemi synuar, përnjëherësh ne jemi bërë si këta ankues dhe mospranues deri edhe përbuzës ndaj realiteteve të reja, dhe fillojmë të silemi si prindërit tanë duke pasë nostalgji për kohërat e vjetra.

E përmendëm shpirtngushtësinë. Kjo në botën e biznesit është kur ne nuk na pëlqen kur edhe tjerët arrijnë sukses dhe mundohemi që me çdo kusht ta mbysim konkurrencën apo edhe gjthçka tjetër që na duket që po e merr hisen tonë. Ky mentalitet është mentalitet i luftës dhe i konfliktit dhe nuk sjell zhvillim por vetëm debalancim. Ky është mentalitet i skamnorit, të varfërit dhe ne duhet të luftojmë që ta tejkalojmë. Nëse e kemi shpirtin e ngushtë kurrë nuk mund të bëhemi liderë e sidomos jo sinergjik por vetëm biznismenë koprrac të modelit fillestar të kapitalizmit që tenton ti shfrytëzoj të gjithë rreth vetes. Ky është mendim afatshkurtë dhe nuk i sjell kurrfarë të mira shoqërisë në afat të gjatë. Me këtë lloj mentaliteti nuk jemi në gjendje të mendojmë në mënyrë kreative dhe të arrijmë suksese të pakufijshme pasi që merremi me luftën ndaj tjerëve dhe nuk fokusohemi në ngritje të kapaciteteve tona.

Si të ndryshojmë. Momenti i pasigurisë dhe ndjenja e pafuqisë së përballjes me rrethanat e reja është momenti kur duhet të shiqojmë si të dalim prej kësaj situate. Ky është momenti kur duhet ta sfidojmë frikën ndaj të panjohurës. Cilët janë treguesit që tregojnë që jemi në situatë pa rrugëdalje? Momenti kur fillojmë të fajësojmë tjerët për probleme e nuk tentojmë të gjejmë zgjidhje brenda vetes, kur të gjithë të tjerët i konsiderojmë të paaftë dhe na bëjnë të dalim prej vet-vetes, kur na duket se askush nuk po na kupton dhe ne nuk i kuptojmë të tjerët, etj. Këto janë alarme që na tregojnë që jemi në një situatë nga e cila duhet të dalim patjetër përndryshe do të stagnojmë. Nëse nuk dimë si të ndryshojmë, nuk kemi zgjidhje, duhet të kërkojmë “ndihmë” prej atyre që dinë se çka është ndryshimi dhe si menaxhohet ndryshimi. Duhet të bëjmë gjithçka që të mos kthehemi në kënetë që nuk lëvizë e kutërbon por të kthehemi në lumin që kemi qenë – i pandalshëm dhe që merr ujë nga burimi i pashtershëm i dëshirës për të mësuar gjithnjë gjëra të reja.

Të fundit