Sipas specialistëve – shumë e dëmshme.Ekspertë nga Akademia Amerikane e Pediatrisë thonë se kur u bërtasim fëmijëve shkaktojmë tek ata rritjen e nivelit të hormoneve të stresit duke çuar në ndryshime arkitekturore të trurit. Nuk zgjidhim gjë duke bërtitur madje një studim tregon se kjo mund t’i orientojë drejt sjelljeve që ju po mundoheni të ndaloni. Mbi të gjitha askush nuk i pëlqen të bërtiturat. Po çfarë të bësh? Si mund të përmbash veten, veçanërisht nëse kjo sjellje të është kthyer në zakon? Dhe çfarë mund të bësh për t`i bërë fëmijët të të dëgjojnë?

Ne ju këshillojmë 5 mënyra sesi të menaxhoni këto situata të pakëndshme:

 1. E para, duhet të kuptoni se e bërtitura për shkak të inatit nuk është njësoj me të bërtiturën për të mbrojtur fëmijën tuaj.

Sipas mjekëve psikiatër inati në vetvete është një emocion i cili mund të ndryshojë sjelljen. Por mund të na ndodh të bërtasim për të paralajmëruar fëmijën për një rrezik. Nëse po i bërtisni fëmijës për ta mbrojtur prej aksidenteve, kjo është një tjetër lloj bërtitje, e cila është e domosdoshme për ta mbajtur fëmijën të sigurtë. Psh. nëse po i bërtisni fëmijës për ta paralajmëruar se po kalon rrugën pa parë, ose po prek një send të nxehtë, ose shumë raste të tjera të rrezikshme – kjo lloj e bërtiture është e momentit dhe insitktive për t`i shpëtuar rrezikut.

2. Kur ndjeni se mund të shpërtheni nga inati, prekni ballin.

Duket një alternativë shumë e çuditshme por ja pse ia vlen ta provoni këtë teknikë: Zemërimi buron nga sistemi limbik. Sistemi limbik është ajo pjesë primitive e trurit që kontrollon emocionet. Ndërsa pjesa më racionale dhe përgjegjëse për të menduarin është korteksi prefrontal i vendosur në pjesën ballore. Kjo pjesë e trurit ju ndihmon në marrjën e vendimeve dhe mënyrën e ndërveprimit social. Për të shmangur të bërtiturat, është mirë të vendosni në funksion pjesën frontrale dhe jo sistemin limbik. Për këtë arsye, nëse në vazhdim do prekni ballin, do ju kujtohet se çfarë funksioni ka kjo pjesë e trurit – ndaj merrni frymë thellë dhe pyesni veten: “Çfarë jam duke bërë? Pse jam kaq i/e nervozuar? Këto peytje mund t`ju bëjnë të rikujtoheni për një sjellje më racionale dhe të ulin nevojën për të shpërthyer në të bërtitura.

3. Hiqni mendjen, merruni me diçka tjetër

Para se të bërtisni ndaloni një moment, merrni frymë thellë, qetësohuni, ndryshoni dhomën, dilni në ballkon, bëni disa ulje ngritje, praktikisht çdo gjë që mund t`ju tërheq vëmendjen. Por nëse ndieni se duhet të bërtisni patjetër, përpiquni që ato që do të thoni të mos jenë lënduese. Mund të thoni fjali të tipit “Jam vërtetë shumë i/e zemëruar”, pra jeni duke thënë shumë e në të njëjtën kohë asgjë ofenduese.

4. Përcillni tek ta zërin edukues

Duke mos i bërtitur fëmijëve nuk do të thotë se po u jepni lirinë të bëjnë gjëra për të cilat nuk jeni dakord. Mund të bisedoni e diskutoni me ta me qetësi duke qenë bindës dhe autoritar. Për shembull nëse një pilot në rast turbulencash, del nga kabina për të pyetur të gjithë pasagjerët se si po ndihen me siguri do të shqetësoheshit se çfarë është duke ndodhur. Por edhe nëse piloti do të dilte duke bërtitur, të gjithë do të tmerroheshin. Por kur piloti flet me zë të qartë dhe bindës dhe ju kërkon të vendosni rripin e sigurimit, ju e vendosni atë. Nëse i ulërisni e bërtisni fëmijës suaj ai do të përqëndrohet tek sjellja juaj më shumë se tek mesazhi që kërkoni t`i përcillni. Në vend që të bërtisni përpiquni të gjeni brenda vetes zërin autoritar edukues, siç do të bënte një mësues në klasë pasi kjo është tepër efektive.

5. Përsëritja e gjërave është e rëndësishme.

Kjo tregon se jeni prindër të përkushtuar. Në një farë mënyre roli i prindit është të sillet si lobi frontal i trurit të fëmijës, i cili zhvillohet plotësisht rreth moshës 20 vjeçare. Fëmijët kanë nevojë t`i dëgjojnë për të disatën herë disa gjëra derisa ti kuptojnë plotësisht. Pra, nëse jeni duke ua përsëritur disa gjëra nuk do të thotë se jeni prindër të paaftë apo se fëmijët janë të padisiplinuar. Ata kanë nevojë të dëgjojnë për të kuptuar më shumë ndërsa rriten. Është e rëndesishme gjithashtu të mbahet mend se ndonjëherë edhe do të bëratsim. Të gjithëve na ndodh.

Nëse rrisni një fëmijë të cilit nuk i keni ngritur zërin apo bërtitur asnjëherë nuk do të jetë aspak e thjeshtë për të përballja me reagimet e ashpra të shokëve, të bërtiturat e trajnerit apo shefit në punë. Për ta do të ishte vërtetë tronditëse. Pra nëse ndiheni keq pas një reagimi kundrejt tyre,  kërkoni ndjesë por mos e kryqëzoni veten për reagimin që patët. Me rëndësi është të keni  dhembshuri për vogëlushin dhe veten tuaj.