Shumica e prindërve janë të vetëdijshëm për pasojat negative të përdorimit të ndëshkimit fizik për të edukuar fëmijët e tyre. Kjo strategji, e cila mund të variojë nga shuplakat dhe goditjet deri tek rrahjet e plota, është treguar se lë gjurmë të thella jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht. Ndëshkimi fizik mund të dëmtojë vetëvlerësimin e fëmijëve, duke krijuar pasiguri dhe mungesë të vetëbesimit, si dhe duke kufizuar autonominë e tyre, duke i bërë ata fëmijë të nënshtruar ose, përkundrazi, jashtëzakonisht rebelë.

Ndikon gjithashtu në zhvillimin emocional të fëmijëve duke shkaktuar ndjenja ankthi, trishtimi dhe frike, ndërsa rrit ndjenjën e vetmisë dhe braktisjes. Në shumë raste, ai gjithashtu kufizon zhvillimin e aftësive sociale dhe zgjidhjen e konflikteve, dhe mund të gjenerojë një pamje negative të botës.
Në këtë drejtim, një studim i botuar në revistën Pediatrics zbuloi se ndëshkimi fizik është gjithashtu një faktor rreziku për shfaqjen e disa psikopatologjive të tilla si çrregullime obsesive kompulsive dhe disa ndryshime të personalitetit dhe sjelljes. Sidoqoftë, ajo që shumë prindër nuk e dinë është se ky lloj i ndëshkimit mund të ndikojë edhe në zhvillimin njohës të fëmijëve.

Ndëshkimi fizik ndikon thellësisht në shkallën e inteligjencës së fëmijëve

Një studim i kryer në Universitetin e Neë Hampshire në Shtetet e Bashkuara shqyrtoi 806 fëmijë mes moshës dy dhe katër vjeç, si dhe 704 fëmijë të tjerë midis moshës pesë dhe nëntë. Të dy grupet iu nënshtruan një serie testesh njohëse, të cilat u përsëritën katër vjet më vonë.
Studiuesit zbuluan se gjatë asaj kohe, fëmijët në grupin e parë që nuk kishin marrë ndëshkim fizik kishin një inteligjencë pesë pikë më të lartë se fëmijët, prindërit e të cilëve përdorën ndëshkimin fizik. Në grupin e dytë, rezultatet ishin shumë të ngjashme: fëmijët që nuk ishin goditur kishin një IQ 2.8 pikë më të lartë se fëmijët që ishin viktima të ndëshkimit fizik.
Hulumtimi gjithashtu zbuloi se frekuenca me të cilën zbatohet ndëshkimi fizik përcakton gjithashtu shkallën e inteligjencës së fëmijës. Në praktikë, sa më shumë fëmijë të goditeshin, aq më shumë u duhej atyre për të zhvilluar aftësitë e tyre njohëse. Në fakt, këta studiues pohojnë se edhe ndëshkimi fizik “i butë”, i zbatuar shpesh, mund të ndikojë në IQ.