Ndërsa të pasurit e një fëmije është një rast për tu ndjerë i lumtur, rreth 20% e nënave dhe baballarëve të rinj nuk e ndiejnë atë lidhje të veçantë me të porsalindurin e tyre në momentin që e shohin për herë të parë. Por nuk ka asnjë arsye të ndiheni fajtorë për këtë, sepse nganjëherë thjesht duhet kohë. “Bright Side” tregon arsyet e mundshme pse disa nëna nuk mund të ndiejnë shkëndijën e veçantë kur shikojnë foshnjat që sapo sollën në jetë.
Ato nuk janë më i njëjti person si dikur.
E vërteta e vështirë për gruan është që jeta e tyre e vjetër u zhduk në momentin që lindën fëmijën. Ato janë bërë nënë, dhe kjo ka ndryshuar marrëdhëniet e tyre me të tjerët, identitetin dhe të ardhmen e tyre. Ato mund të ndihen të humbura dhe të mbingarkuara nga frika, sepse gjërat kanë ndryshuar kaq shumë me vetëm një ngjarje.
Ato mund të jenë duke përjetuar ndryshime të gjendjes psikologjike.
Rreth 4 në 5 nëna përjetojnë këtë gjendje që njihet ndryshe si “baby blues”. Zakonisht zgjat deri në 2 javë, por nëse zgjat më shumë, mund të jetë një shenjë e depresionit pas lindjes dhe nënat duhet të flasin me një mjek për këtë. Kjo gjendje mund të shkaktohet nga ndryshimet ekstreme hormonale në trupat e tyre që po i përgatisin të kujdesen për të vegjlit. Mund të shkaktohet gjithashtu nga ndryshime të mëdha në rutinën dhe mënyrën e jetesës, si p.sh. të mos jesh në gjendje të flesh rregullisht për shkak të fëmijës.
Ato preken nga ajo që ndodh gjatë dhe pas lindjes.
Disa nëna kanë nevojë për më shumë kohë për t’u rikuperuar nga dhimbja dhe lodhja që përjetojnë gjatë lindjes. Kjo është veçanërisht e vërtetë për nënat që lindin për herë të parë dhe për ato, të cilave lindja u zgjat shumë dhe është e vështirë. Gratë që kanë bërë një operacion C, ose kanë lindur parakohe, gjithashtu mund të humbasin shansin të ndiejnë emocione pozitive të forta kur lindin.
Përvojat e tyre mund të ndikojnë.
Nënat e të sapolindurve që kanë një histori depresioni, sëmundje mendore, abort ose që janë abuzuar, mund ta kenë të vështirë të dashurohen menjëherë me foshnjat e tyre. Disa madje mund të vuajnë nga trauma pas lindjes. Në fakt, një studim zbuloi se deri në 4% e grave zhvillojnë çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD) pas lindjes.
Ajo çfarë imagjinojnë apo presin është krejtësisht ndryshe nga realiteti.
Për shembull, ato mund të ndihen fajtore ose e shohin veten si dështim kur zgjodhën të bënin një lindje cezariane, sepse mendojnë që duhet të kishin lindur vetë, jo me ndihmën e mjekut. Këto ndjenja negative mund të bëjnë që nëna të dashurohet pas shumë kohësh me fëmijën që solli në jetë.