HomeProgrami i edukimitPrinderimiSi ta dini që fëmija juaj ka disleksi?
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Si ta dini që fëmija juaj ka disleksi?

Çdo fëmijë është unik. Zhvillimi dhe sjellja e tyre është po ashtu e tillë. Prindërit vazhdimisht mendojnë sesi fëmija do jetë, dhe me rritjen e tyre ata shikojnë dhe kuptojnë rreth botës së fëmijës. Ajo çfarë të gjithë prindërit presin është që fëmija i tyre të shkëlqejë në çdo aspekt, në pamje, sjellje, dhe në shkollë. Megjithatë jo çdo fëmijë mund të plotësojë dëshirat dhe kërkesat që prindërit kanë. Disa prej tyre kanë problematika në sjellje por edhe vështirësi në shkollë. Disa i shfaqin këto vështirësi më herët dhe disa të tjerë më vonë. Ky është momenti kur prindërit fillojnë të kenë pikëpyetje se çfarë nuk shkon me fëmijën e tyre. Mos u alarmoni! Ajo që mund të bëni është që të vëzhgoni me detaje sjelljet dhe veprimet që fëmija juaj bën, si, ku dhe kur i shfaq ato.

Nëse fëmija juaj shfaq vështirësi në  lexim, shkrim, drejtshkrim dhe ka gjithashtu mungesë të aftësive të tjera gjuhësore, ai/ ajo mund të jenë me disleksi.  Megjithatë këto nuk janë simptomat e vetme që ata shfaqin. Ju mund të vëzhgoni tek fëmija, nëse: kalon fjalë ose rreshta kur lexon; rilexon rreshtat; i rritet shkalla e lodhjes me rritjen e numrit të rreshtave të lexuar; kapsit sytë; ka dhimbje koke kur lexon; ngatërron shkronjat “d” me “b”, “m” me “w” dhe “u” me “n”; bën përmbysje të fjalëve si “top” me “pot”; shkruan mbrapsht shkronjat dhe numrat.

Këto janë vetëm disa nga karakteristikat që shfaq një fëmijë me disleksi. Gjithashtu ata kanë vështirësi në të mësuarin e alfabetit, të numrave, ditëve të javës, të ngjyrave, formave, si edhe për të gërmëzuar dhe shkruar emrin e tij/ të saj. Një pjesë e madhe e tyre janë të pa organizuar dhe nuk njohin konceptin e kohës. Një fëmijë disleksik mund të dojë më shumë kohë se fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë për të mësuar se si të mbajë një laps në pozicionin e shkrimit, në mbylljen e kopsave, zinxhirit të rrobave në larjen e dhëmbëve, etj. Mësuesi i fëmijës tuaj mund t’ju ketë thënë se fëmija juaj lexon në një nivel më të ulët nga sa pritet për moshën e tij/saj dhe që shqipton të njëjtën fjalë në mënyra të ndryshme në të njëjtën faqe teksti. Nxënësit me disleksi shpesh përfundojnë duke u ndjer “memec” dhe më pak të aftë sesa ata aktualisht janë. Pas përjetimit të një niveli të lartë stresi për shkak të problemeve akademike, një nxënës i tillë mund të dekurajohet për të vazhduar shkollën. Efektet e disleksisë shkojnë përtej klasës.

Disleksia prek vetë-imazhin e fëmijës tuaj. Prindërit mund të pranojnë se këta fëmijë thjesht nuk përpiqen dhe nuk janë të motivuar për të mësuar dhe si rrjedhim i ndëshkojnë. Atëherë fëmija mund të fillojë t’a  brendësojë mesazhin se ai/ajo është i “trashë”. Kjo mund të bëhet një pjesë e caktuar e identitetit të tij/ të saj, duke dëmtuar vetë-besimin. Fëmijët me disleksi gjithashtu, kanë një rrezik të madh për zhvillimin e problemeve emocionale. Jo për shkak të gjendjes në vetvete, por për shkak të frustrimit të përditshëm, mospranimit nga bashkëmoshatarët dhe ndjenjës së dështimit që ata hasin në mjedisin shkollor.

Megjithatë, disleksia nuk prek inteligjencën e fëmijës. Shumë prej tyre kanë talent dhe kreativitet. Albert Ajnshtain, Winston Churcill, Leonardo Da Vinçi, Tom Cruise, Walt Disney dhe një sërë individësh të tjerë të cilët kanë shkëlqyer në fusha të tilla si fizika, letërsia, arti, arkitektura, muzika etj, kanë qënë me disleksi. Pika më e fortë e tyre është intuita!

 

Të fundit