HomeLidershipTregime me Gandin
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Tregime me Gandin

Kur Gandi (Mahatma Gandhi) studionte Drejtësi në një Universitet të Londrës, kishte një profesor që quhej Peters, të cilin nuk e duronte dot, megjithatë Gandi nuk ishte nga ata tipa që frikësohej.

Një ditë profesori po hante në mensë dhe Gandi u ul pranë tij. Profesori i tha: z. Gandhi a e dini që një derr dhe një zog nuk mund të hanë bashkë?

– Në rregull profesor, po fluturoj larg – u përgjigj Gandhi dhe shkoi të ulej në një tavolinë tjetër.

Profesori, i cili ishte tërbuar, vendosi të hakmerrej kur të vinte koha e provimit, por Gandi iu përgjigj shkëlqyeshëm të gjitha pyetjeve. Atëherë profesori vendosi t’i bënte një pyetje të fundit:

– Z. Gandi , imagjinoni sikur po ecni në rrugë dhe gjeni një çantë. E hapni dhe brenda gjeni pasuri dhe mençuri. Cilën prej tyre do të zgjidhnit?

– Sigurisht që pasurinë profesor.

– Unë do të kisha zgjedhur mençurinë – përgjigjet Profesori.

– Keni të drejtë. Tekefundit çdo njeri zgjedh atë që nuk ka – ia kthen Gandhi.

Profesori, i tërbuar, shkroi në librezën e notave fjalën “Idiot”.

Gandi e lexoi dhe u kthye mbrapsht-

– Profesor, ju keni firmosur por keni harruar të shkruani notën e provimit.

 

Një herë, një zonjë shumë e varfër, bashkë me të birin e saj shkojnë tek Gandi. Ata kishin ardhur nga një zonë shumë e largët dhe e shihnin Gandin si burrin e mençur dhe të urtë. Edhe vetë i biri i saj e donte shumë Gandin, për bëmat që kishte dëgjuar rreth tij. Me të hyrë brenda, zonja i tregoi se nga kishin ardhur dhe se donin një këshillë prej tij. I biri i saj hante shumë sheqer, gjë e cila mund t’i dëmtonte shëndetin. Ajo i kërkoi ta këshillojë sepse djali e donte shumë dhe do t’ia dëgjonte fjalën.

Gandi u shtir sikur ishte shumë i zënë dhe i tha: ”Më vjen keq, por hajde pas katër javësh se jam shumë i ngarkuar me punë!”

Zonja u mërzit nga kjo përgjigje e Gandit dhe i tha: ”More zotëri! Unë vij nga qoshi i dynjasë dhe ti më thua të vij pas katër javësh! Unë e shoh që shumë njerëz të tjerë të presin, por nuk dua më shumë sesa ta këshillosh tim bir që të mos konsumojë sheqer se do i marrë jetë!”

Gandi i tha: “Zonjë, merre djalin dhe hajde pas një muaji!”

Zonja u largua gjithë nerva, e vendosur për të mos ia parë më surratin atij njeriu të çuditshëm për të cilin ishin thurur kaq histori lavdie. Megjithatë, pas dy tre javësh, pasi u qetësua, vendosi ta marrë dhe një herë atë rrugë të gjatë dhe të lodhshme, aq më tepër që bëhej fjalë për shëndetin e të birit të saj.

Edhe pse ishte i rrethuar nga njerëz të shumtë, me ta dalluar, Gandi i thirri: “Hajde zonjë!” Pasi zonja dhe djali i saj u afruan, Gandi e pyeti: ”A je ti ajo zonja që kishte hallin e djalit që konsumonte sheqer pa hesap?”

Zonja iu përgjigj si e hutuar: ”Po, unë jam. Por, si më mbani mend?!”

Gandi iu drejtua djalit të saj dhe i tha: ”Dëgjo biri im! Të këshilloj si një baba, që të mos hash më sheqer! A ma jep fjalën që do e respektosh këshillën time?”

Djali me sy që i shkëlqenin për faktin se ishte takuar me Gandin, i tha: ”Po , të jap fjalën se nuk do të ha më sheqer.”

Para se të largohej, zonja i tha: ”Më ndjeni zotëri, por nuk po marr vesh asgjë. Përse nuk ia thatë këto dy fjalë para katër javësh?! Përse na rropate deri në qosh të dynjasë?!”

Gandi iu përgjigj: ”Katër javë më parë, unë e konsumoja si i babëzitur sheqerin. Edhe unë kisha të njëjtin problem me djalin tuaj, por nuk mund ta këshilloja djalin tuaj për diçka që e bëja vetë. Atë ditë vendosa të heq dorë nga konsumimi i sheqerit, me qëllim që pas katër javësh të kem energjitë dhe fuqinë e duhur që ta këshilloj tët bir. Unë doja të jem model me vepra, jo me fjalë. Sot, kur e këshillova tët bir, ndjehesha i fuqishëm dhe isha i bindur se do ma dëgjojë fjalën.”

Të fundit