HomeFokusÇfarë është alkooli?
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Çfarë është alkooli?

Alkooli  është lëng pa ngjyrë i cili fitohet me fermentimin e sheqerit. Industrialisht fitohet me hidratimin e etilenit me ujë në prezencë të acidit fosforik. Alkooli më shumë përdoret si antidepresiv me mijëra vjet. Varshmëria nga alkooli quhet alkoolizëm.

Alkooli është emri që u jepet nje varg komponimesh, ku lloji i pijshëm është etanoli ose alkooli etilik. Alkooli është pije e fuqishme, shkakton varësi dhe ngadalëson punën e sistemit nervor qëndror.

Tri llojet bazike të alkoolit:

Birra përfitohet nga fermentimi i drithërave ku koncentrimi i alkoolit është prej 3-6%.

Vera përfitohet nga fermentimi i frutave dhe ka një përmbajtje të alkoolit prej 11-14%.

Likeri përfitohet me destilimin e një produkti të fermentuar me qëllim përfitimin e një pije që zakonisht përmban 40-50% alkool.

Të tri llojet e alkoolit kanë të njëjtin potencial për dehje dhe varësi.

 

Si ndikon alkooli në tru?

Alkooli vepron në qelizat nervore të trurit tek përdoruesit  e alkoolit. Fillimisht, alkooli shërben si një nxitës duke dhënë ndjenjën e relaksimit dhe duke reduktuar ankthin. Konsumimi i dy apo tre pijeve në një orë mund të ndikojë në dëmtim të gjykimit, frenim të ulët dhe të sjell eufori të lehtë. Konsumimi i 5 pijeve brenda 2 orëve mund të rritë nivelin e alkoolit në gjak në 0.10%, mjaftueshëm e lartë për t’u konsideruar ligjërisht intoksikim apo dehje në çdo shtet. Pasi një alkoolist ndalon konsumimin e alkoolit, niveli i alkoolit në gjak zvogëlohet rreth 0.01% në orë.

Shenjat dhe simptomat e përdorimit të alkoolit dhe intoksikimit (dehjes)

  • Kundërmim alkooli nga frymëmarrja
  • Nervozizëm
  • Eufori
  • Humbje e koordinimit fizik
  • Sjellje të papërshtatshme apo të dhunshme
  • Humbje e ekuilibrit
  • Ecje e paqëndrueshme
  • Të folur të ngadaltë dhe të paqartë
  • Humbje e vetëdijes
  • Të menduar të ngadalësuar
  • Depresion
  • Dëmtim i kujtesës afatshkurtër
  • Errësim i plotë mendor

Shenjat dhe simptomat e tërheqjes  tek përdoruesit kronik

  • Dridhje
  • Axhitacion
  • Ankth dhe atake paniku
  • Paranoja dhe deluzione
  • Halucinacione (zakonisht vizive)
  • Nauze dhe të vjella
  • Rritje e temperaturës trupore
  • Shtypje e lartë e gjakut dhe e ritmit të zemrës
  • Konvulsione dhe kriza

 

Rreziqet nga abuzimi me alkool

Përveç rrezikut të dëmtimit dhe vdekjes si pasojë e aksidenteve dhe dhunës, abuzimi me alkool shkakton problem të tjera fiziologjike dhe psikologjike.

Probleme neurologjike – dëmtimi i të pamurit dhe koordinimit motorik, dëmtimi i kujtesës, halucinacione, errësim i plotë i vetëdijes dhe kriza. Nëse abuzohet për një kohë të gjatë mund të rezultojë me dëmtim të përhershëm të trurit.

Probleme kardiologjike – shtypje e lartë e gjakut dhe e ritmit të zemrës, rreziku i sulmeve dhe ndalimit të punës së zemrës.

Probleme me frymëmarrje – ngadalësim i frymëmarrjes deri në nderprerje të saj, pneumonia, turbekulozi. Poashtu, alkooli rrit rrezikun e kancerit në gojë dhe në fyt.

Probleme të tjera fiziologjike përfshijnë sëmundjet e mëlqisë, dëmtimin e sistemit gastrointestinal, dëmtimin e pankreasit dhe veshkave. Poashtu, konsumimi i alkoolit mund të shkaktojë kequshqyerjen, pengon marrjen e vitaminave përmes ushqimit, shtyp sistemin imunitar, duke rritur kështu potencialin për sëmundje.

Probleme psikologjike – dëmtim i gjykimit dhe i aftësisë verbale, plogështi, introversion (mbyllje në vetëvete), sjellje antisociale, paaftësi për t’u perqëndruar, keqësim i marrëdhenieve me familje, shoqëri dhe bashkëpunetorë.

 

Alkooli dhe shtatëzania?

Konsumimi i alkoolit gjatë shtatëzanisë rrit rrezikun e lindjes me nën peshë tek foshnja dhe pengon zhvillimin intrauterin, ndikon në shfaqjen e infeksioneve, vështirëson të ushqyerit dhe shkakton  probleme zhvilimore afatgjata. Konsumimi i pijeve të rënda alkoolike gjatë muajve të parë të shtatëzanisë mund të rezultojë me lindjen e foshnjës me sindromin alkoolik. Këto foshnje mund të kenë anomali fizike të pakthyeshme, si kafka të vogla, karakteristika jonormale të fytyrës, defekte në zemër dhe rritje e zhvillim të vonuar mendor e fizik.

Të fundit