Vetëkujdesi është përgjigja jonë ndaj nevojave të përditshme që trupi dhe mendja i kërkon nga ne. E kujt do t’i përgjigjemi kur veten e lëmë anash? Në mënyrë të ngjashme ashtu sikur nuk e injorojmë dritën e vajit në veturë, nuk duhet t’i injorojmë sinjalet që i kuptojmë nga trupi jonë. Si një veturë që kur nuk i ndërrohet vaji bëhet jo funksionale dhe nuk i shërben askujt si e tërë por vetëm me pjesët e saj, edhe njeriu që nuk kujdeset për veten i shërben të tjerëve vetëm me minimumin e potencialit që mund ta dhurojë.

Fjalët që i duhen fjalorit të përditshmërisë sonë:

1.Vetëkujdesi
Vetkujdesi përfshin çdo veprim që e bëjmë për ta mbrojtur qenien tonë dhe atë që ne e vlerësojmë të mirë për veten.

  1. Dhembshuria për veten
    Dhembshuria për veten nënkupton kujdesin ndaj vetvetes me butësi, mbështetje dhe urtësi. Është më shumë qëndrimi emocional i yti ndaj asaj që ndodh brenda teje.
  2. Vetë – qetësimi
    Këtu përfshihen të gjitha shprehitë tona për të cilat mund edhe të mos jemi të vetëdijshëm si ngrënia e thonjve, prekja në formë rrethore e flokëve, lëvizja e lapsit nëpër gishta, apo të menduarit me zë.
  3. Dashuria për veten
    Ta duash veten do të thotë të vlerësosh veten për tiparet e tua njerëzore, të pranosh veten pa paragjykime. Të qenit i sinqertë për ndjenjat e tua, për mendimet e tua, për dëshirat dhe zhgënjimet, i sinqertë për atë që ka ndodhur dhe pozitiv për atë që planifikon ta realizosh.
  4. Vetëdija
    Vetëdija është aftësia për t’u fokusuar në vetvete duke parë veprimet, mendimet dhe emocionet e tona se sa janë në harmoni me imazhin tonë për veten.

– Filloni t’i bëni gjërat e domosdoshme, pastaj ato të mundurat; dhe papritmas do ta gjeni veten duke bërë të pamundurën.