HomeFokusMenaxhimi i zemërimit tek fëmijët
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Menaxhimi i zemërimit tek fëmijët

Sot fëmijët përballen me shumë lloje presionesh apo stresesh të përditshme. Vetëm të mendosh mbi llojet e imazheve të frikshme ndaj të cilave fëmijët ekspozohen, në lajmet e darkës: trazirat, krimet brenda familjes, të shtëna, bombardime, rrëmbime, vrasje të pakuptimta. Gjithashtu situatë tjetër stresuese me të cilën ata përballen janë ngacmimet e ndryshme në shkollë (bulling). A ndikojnë të gjitha këto tek fëmijët? Patjetër që po.

“Tendenca më e madhe që kam vënë re si konsulente në shumë shkolla gjatë dhjetë viteve të fundit, është rritja e dukshme e ankthit dhe e zemërimit tek fëmijët. Nuk duhet të bëjmë sikur nuk shohim: prezenca e qëndrueshme e stresit dhe e imazheve të dhunshme po ndikon frikshëm në mirëqenien morale dhe emocionale të fëmijëve tanë.”, thotë Dr. Michele Borba autore e librit “Building Moral Intelligence”.

Cili është roli i prindërve? Tu mësojnë fëmijëve rëndësinë dhe vlerën e vetëkontrollit në mënyrë që ata të mund t’i kontrollojnë emocionet e tyre kur përballen me situata frustruese.

Në librin Building Moral Intelligence, Borba sugjeron pesë strategji se si t’u mësojmë fëmijëve vetëkontrollin në mënyrë që ata të mund të ruajnë qetësinë dhe të kontrollojnë zemërimin.

1.      Ruajtjen e gjakftohtësisë: Të tregosh gjakftohtësi gjatë përballjes me probleme të caktuara, është një mënyrë e rëndësishme për ti mësuar fëmijëve vetëkontrollin. Në këtë mënyrë ti u jep një mesazh të qartë: “Mund të duket si moment krize, por duke ruajtur qetësinë, mund të jem në gjendje të zgjidh problemin.” Shembulli është gjithmonë mësuesi më i mirë.

2.      Krijimin e një fjalori ndjenjash: Shumë fëmijë shfaqin agresion sepse nuk dinë si ta shprehin ndryshe frustrimin që ndjejnë. Ato kanë nevojë për një fjalor emocional që të shprehin se si ndihen dhe ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të krijojë një “fjalor ndjenjash”.  Ja disa fjalë të sugjeruara: i zemëruar, i nevrikosur, i frustruar, i shqetësuar, i tensionuar, nervoz, ankthioz, i irrituar, i inatosur. Shkruajini këto në një tabelë dhe kur fëmija juaj të jetë në gjendje të irrituar, përdorini këto fjalë së bashku, “duket sikur je i shqetësuar, do të flasim për këtë?”, kështu fëmija do t’i përdori ato edhe dhe në jetën e përditshme.

3.      Identifikimin e shenjave paralajmëruese të zemërimit: Shpjegojini fëmijës se të gjithë kanë disa shenja paralajmëruese që kuptojnë se do të zemërohen, duhet ti marrim parasysh në mënyrë që të na ndihmojnë të dalim nga problemi. Jepini shembull fëmijës për disa nga shenjat e mundshme, p.sh., të folurit me zë të lartë, skuqja në fytyrë, shtrëngimi i grushteve, rrahje të zemrës, frymëmarrje e shpejtë. Sa më shumë i ndihmojmë fëmijët të njohin shenjat paralajmëruese kur zemërimi nuk është qartësuar ende, aq më shumë ato do të jenë në gjendje të qetësohen dhe të mësojnë si të kontrollojnë sjelljen.

4.      Komunikimi me veten: Një mënyrë për t’i ndihmuar fëmijët të ruajnë kontrollin është ti mësosh atyre ti thonë fjalë pozitive vetes në moment stresi, si p.sh., “Ndalo dhe qetësohu”, “Ruaj qetësinë”, “Merr frymë thellë”, “Unë mund ta përballoj këtë”.

5.      Frymëmarrja diafragmatike: Kontrolli i frymëmarrjes është një teknikë shumë e rëndësishme sidomos në situatat stresuese. Kur vëreni se fëmija juaj është përfshirë në gjendje ankthi apo gjendje zemërimi sugjerojini të ulet në një vend të përshtatshëm dhe të marri frymë ngadalë nëpërmjet diafragmës.

 

Të merresh me trajtimin e zemërimit tek fëmijët mund të jetë një punë jo e lehtë, madje dhe shqetësuese. Ajo çka e vështirëson më shumë këtë gjë është edhe koncepti i gabuar që prindërit mund të kenë për ndjenjën e zemërimit, pasi mund të jenë mësuar me idenë se të jesh i zemëruar është diçka e keqe dhe diçka për të cilën duhet të ndihesh fajtor. Trajtimi i zemërimit tek fëmijët do të ishte më i lehtë nëse prindërit çlirohen nga ky koncept.

Për të reaguar efektivisht ndaj sjelljeve agresive të fëmijëve, duhet më parë të interesoheni për arsyet që e shtynë atë drejt kësaj sjelljeje. Zemërimi mund të përdoret si mbrojtje për të shmangur ndjenjat e dhimbshme, mund te lidhet me dështimin, vetëvlerësimin e ulët, ndjenjën e izolimit, me situata ankthioze, mërzinë apo depresionin. Në fëmijërinë e hershme zemërimi dhe mërzitja janë shumë të ngjashme, është e rëndësishme të kuptojmë se ajo që të rriturit shprehin si mërzi nga fëmijët mund të shprehet si zemërim.

Si të reagojmë me një fëmijë të zemëruar

Me një fëmijë të zemëruar veprimet duhet të jenë të motivuara nga nevoja për ti mbrojtur dhe për tu përfshirë, jo nga dëshira për të ndëshkuar. Shprehini fëmijës se ju i mirëkuptoni ndjenjat e tij, ndërkohë që i sugjeroni dhe mënyra të tjera se si ti shprehin ato. P.sh., mund t’i thoni: “Më lejo të të tregoj se çfarë do të bënin fëmijë të tjerë në situate të ngjashme”.  Nuk është e mjaftueshme vetëm ti thuash fëmijës se çfarë sjellje është e përshtatshme apo jo, por duhet ti mësohet atij se si të përballet në mënyrë sa më të pranueshme.

Disa reagime të përshtatshme me një fëmijë të zemëruar do të ishin:

·         Nxirr në pah sjelljet e mira. Reago ndaj arritjeve pozitive të fëmijës dhe përforco sjelljet e tij të mira. Një prind vigjilent dhe i ndjeshëm arrin të gjejë gjatë ditës mundësi për të bërë komente të tilla si “Më pëlqen fakti që vjen për të ngrënë darkë pa ta rikujtuar”, “E vlerësoj se si i rregullon rrobat e tua edhe kur je me vonesë”, “U tregove shumë i durueshëm kur unë po flisja në telefon”, “Jam e lumtur që e ndave lodrën me motrën tënde”, “Më pëlqen mënyra se si mendon për të tjerët” apo, “Të falënderoj që më tregove të vërtetën për atë që ndodhi”.

Po ashtu edhe mësuesit munden të përforcojnë sjelljet pozitive tek nxënësit me komente të tilla si “E di që ishte e vështirë për ty të prisje radhën por jam e kënaqur që munde ta bëje”, “Faleminderit që u ule në vendin tënd pa zhurmë”, “U tregove i mirë që e ndihmove Benin në gramatikë”.

·          Qëllimisht injoroni sjellje të papërshtatshme që mund të tolerohen. Kjo nuk do të thotë që duhet të injoroni fëmijën, vetëm sjelljen. Injorimi duhet të jetë i planifikuar dhe i qëndrueshëm. Edhe pse një sjellje mund të tolerohet, fëmija duhet të vihet në dijeni që ishte sjellje e papërshtatshme.

·         Mundësoji aktivitete fizike dhe alternativa të tjera si kjo. Është e rëndësishme për fëmijët të kryejnë aktivitete fizike, si në shtëpi dhe në shkollë.

·         Manipulo mjedisin rrethues. Sjelljet agresive shpesh mund të shkaktohen nga vënia e fëmijëve në pozita të vështira apo joshëse. Duhet të përpiqeni të krijoni një mjedis të tillë në mënyrë që disa sjellje të shmangen. Ndonjëherë rregullat si dhe hapësira fizike mund të jenë shumë kufizuese.

·         Përdor afrimitetin dhe kontaktin fizik. Afrohu fizikisht me fëmijën kjo i ndihmon të frenojnë impulset e zemërimit, p.sh., një përqafim në këto momente do të ishte optimal. Shumë fëmijë qetësohen kur krijojnë afrimitet me të rriturit dhe kur ata tregojnë interes për aktivitetet e tyre. Natyrshëm fëmijët përpiqen të përfshijnë të rriturit në gjërat e tyre por, shpesh të rriturit bezdisen nga kjo. Fëmijët e vegjël (dhe fëmijët që janë emocionalisht të privuar) kanë më shumë nevojë për përfshirjen e të rriturve në interesat e tyre.

·         Ji i gatshëm për të ofruar dashuri. Ndonjëherë gjithçka për çfarë ka nevojë një fëmijë i nevrikosur për të rifituar kontrollin, është thjesht një përqafim apo sjellje të ngjashme që tregojnë afeksion.

·         Lehtëso tensionin nëpërmjet humorit. Të bësh shaka me fëmijën gjatë një zemërimit të tij momental i mundëson atij ‘të shpëtojë’ nga kjo situatë. Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi midis shakasë dhe sarkazmës (talljes).

·         Diskutoni direkt me fëmijën. Tregojini se si ndiheni dhe kërkojini shpjegim. Për shembull, një prind ose një mësues mund ta fitoj bashkëpunimin e fëmijës duke i thënë, “Zhurma që po bën zakonisht nuk më bezdis, por sot jam me dhimbje koke a mund të gjesh diçka tjetër me çfarë të luash?”

·         Shpjegoni situatat. Ndihmoje fëmijën të kuptojë shkakun e një situate të tensionuar. Shpesh nuk arrijmë të kuptojmë se sa lehtë fëmijët mund të përmirësojnë sjelljet e tyre kur kuptojnë shkakun e frustrimit.

·         Inkurajo fëmijën të njohë pikat e tij të forta dhe pikat e tij të dobëta. Tregoju të kuptojnë se ata mund ti arrijnë qëllimet e veta.

·         Përdor premtimet dhe shpërblimet. Premtimet mund edhe të nxisin edhe të shmangin një sjellje. Premtimet dhe shpërblimet duhet të bëhen në mënyrën e duhur që mos të duken sikur po bën ryshfete, fëmija nuk duhet të marrë mesazh negative nga to. Nëse dihen pëlqimet e fëmijëve, premtimet dhe shpërblimet mund të bëhen në bazë të tyre edhe fëmija fiton kënaqësi edhe prindi arrin synimet e veta. E rëndësishme është që premtimet të realizohen në mënyrë që fëmija mos të zhgënjehet dhe të përforcojë sjelljet negative.

·         Thuaj ‘JO!’. Limitet duhet të ekzistojnë, të jenë të qarta dhe të zbatohen. Brenda këtyre limiteve fëmijët duhet të jenë të lirë të funksionojnë.

·         Ndihmojini të ndërtojnë një imazh pozitiv për veten. Inkurajojini ato ta shohin veten si njeri me vlera dhe aftësi të shumta.

·         Përdorni ndëshkimet me kujdes. Ka një kufij delikat mes ndëshkimeve armiqësore dhe ndëshkimeve edukative.

·         Modeloni sjelljen e duhur. Prindërit dhe mësuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin  e madh që kanë veprimet e tyre në sjelljet e fëmijëve.

·         Mësoni fëmijën të shprehet verbalisht. Të folurit i ndihmon ata të kenë kontroll mbi sjelljet e tyre. Inkurajojini të thonë, p.sh., “nuk më pëlqen të ma marrësh lapsin, kam nevojë për të tani.”

Prindërit dhe mësuesit duhet ti lejojnë fëmijët të përjetojnë të gjitha llojet e ndjenjave. Roli i tyre më shumë duhet të drejtohet në udhëzimin e fëmijëve se si t’i shprehin ndjenjat në mënyrë sa më të pranueshme.

 

Përgatiti: Suada Hajredinaj

Të fundit